Turqia dhe Kuba do të bashkëpunojnë në prodhimin e vaksinave dhe ilaçeve

Turqia dhe Kuba kanë rënë dakord të krijojnë një grup studimi për të punuar në lidhje me vaksina të ndryshme, përfshirë vaksinën kundër kancerit dhe ilaçe të tjera, njoftoi Ministria turke e Shëndetësisë

Turqia dhe Kuba kanë rënë dakord të krijojnë një grup studimi për të punuar në lidhje me vaksina të ndryshme, përfshirë vaksinën kundër kancerit dhe ilaçe të tjera, njoftoi Ministria turke e Shëndetësisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç thuhet në deklaratën e ministrisë, ministri Fahrettin Koca u takua javën e kaluar me homologun e tij kuban Angel Portal Miranda në një konferencë ndërkombëtare shëndetësore në Gjenevë.

Në deklaratë thuhet se një delegacion i lartë kuban do të mbërrijë së shpejti në Turqi për t’u takuar me zyrtarët turq të shëndetësisë.

Gjithashtu, Turqia ka nënshkruar protokolle për bashkëpunim shëndetësor edhe me Indonezinë dhe Kirgistanin.

Në deklaratën e ministrisë thuhet se ky institucion ka përshpejtuar bashkëpunimin bilateral në përputhje me objektivat e lokalizimit dhe nacionalizimit.

Duke vënë në dukje se 80 nga çdo 100 kuti të ilaçeve të blera në Turqi prodhohen brenda vendit, ministri Koca ka theksuar se vendi synon të lokalizojë gjithë prodhimin e vaksinave deri në vitin 2023.