Turqia dhe Holanda dakord për normalizimin e marrëdhënieve

"Në kuadër të vendimit tonë për normalizimin e marrëdhënieve, vendosëm emërimin sa më të shpejtë të ambasadorëve tanë", tha Çavuşoğlu

 Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu në lidhje me takimin dypalësh me homologun e tij holandez, Stef Blok tha se kanë vendosur emërimin sa më të shpejtë të ambasadorëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu i cili ndodhet në Vjenë në takimin Gymnich, në kuadër të presidencës së Austrisë me Këshillin e Bashkimit Evropian me pjesëmarrjen e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare dhe vendeve kandidate për anëtarësim, zhvilloi takime të ndara me ministrin e Jashtëm dhe të Tregtisë së Irlandës Simon Coveney si dhe me homologun e tij holandez Stef Blok.

Ai në një deklaratë për media tha se në takimin Gyminch janë diskutuar tema të shumta dhe se është biseduar mbi problemet globale duke filluar nga marrëdhëniet Turqi-BE.

Çavuşoğlu tha se në kuadër të takimit janë realizuar edhe takimet dypalëshe. “Biseduam për herë të parë me homologun tim holandez Stef Blok, me të cilin realizuam një takim shumë të dobishëm”, tha ai.

Ministri Çavuşoğlu në lidhje me përmbajtjen e takimit me homologun e tij holandez publikoi një mesazh edhe në rrjetet sociale. “Me homologun tim holandez Stef Blok u takuam në Vjenë. Në kuadër të vendimit tonë për normalizimin e marrëdhënieve, vendosëm emërimin sa më të shpejtë të ambasadorëve tanë. Po ashtu homologu im Blok në fillim të muajit tetor do të realizojë një vizitë zyrtare në shtetin tonë”, tha ai.

Çavuşoğlu në lidhje me takimin e tij me ministrin e Jashtëm dhe të Tregtisë së Irlandës Coveney tha: “Ramë dakord për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar si dhe të vizitave tona të nivelit të lartë”.