Turqia dhe Greqia kanë shprehur për herë të parë në katër vitet e fundit gatishmëri për zgjidhjen e problemeve me dialog. Takimi i parë është planifikuar të mbahet në Stamboll.
Presidenca turke ishte e para, e cila publikoi lajmin se palët kanë rënë dakord që të bisedojnë për shpuarjet dhe kërkimet e gazit në pjesën lindore të Detit Mesdhe. Ecuria e bisedimeve do të varet nga hapi i ardhshëm i Greqisë, mendon presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kumtoi zyra e tij. “Impulsi për shtendosje dhe dialog duhet të ketë për bazë hapat e përafrimit nga të dy palët.” Më parë kancelarja Angela Merkel dhe presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel janë këshilluar në një videokonferencë për këtë çështje.
Presidenti turk shpreson se samiti i BE në fillim të tetorit do t’i japë një “jetë të re” raporteve mes BE dhe Ankarasë, thuhet më tej. Në samit do të flitet për vendosjen e mundshme të sanksioneve kundër Turqisë, për shkak të tensioneve në Mesdhe.
Ministria e Jashtme greke ka konfirmuar se do të vazhdojnë negociatat e ndërprera me Ankaranë në vitin 2016. Takimi do të mbahet së shpejti në Stamboll. Këshillimet mes Athinës dhe Ankarasë kanë filluar të mbahen në vitin 1999, por me ndërprerje të shpeshta. Raundi i ri i bisedimeve do të jetë i 61 me radhë, thuhet në Athinë.
Erdogani do që në bisedimet të përfshihet pjesa turke e Qipros
Erdogani ka propozuar mbajtjen e një konference rajonale ku do të përfshiheshin të gjitha palët e interesuara në këtë grindje, duke përfshirë edhe pjesën turke të Qipros. Një konferencë e këtillë do të kishte influencë “pozitive dhe konstruktive” në situatën e tanishme në Mesdheun lindor”, deklaroi Erdogan.
Presidenti turk foli për këtë konflikt edhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB. Në fjalimin e tij përmes videos ai kërkoi një dialog “të vërtetë” për përfundimin e krizës. Njëkohësisht ai dënoi edhe “pengesat” e krijuara nga Perëndimi.
Grindjet në Mesdheun lindor kanë shpërthyer për shkak të kërkimeve të gazit nga Turqia në zonat ujore mes Greqisë, Turqisë dhe Qipros. Qeveria turke ka hedhur poshtë kritikat dhe është e mendimit se këto ujëra ndërkombëtare i përkasin Turiqisë. Palët në konflikt kanë pretendime të kundërta dhe atje kanë dërguar edhe anije luftarake, transmeton DW.