Turqia dënon vendimin e Greqisë për mbylljen e 12 shkollave fillore të pakicës turke në Trakinë Perëndimore

Turqia dënoi vendimin e Greqisë për mbylljen e 12 shkollave fillore të pakicës turke në Trakinë Perëndimore me arsyetimin e masave të kursimit dhe pamjaftueshmërisë së nxënësve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga Ministria e Jashtme thuhet se me vendimin e fundit, janë mbyllur më shumë se gjysma e shkollave fillore të pakicave, duke e ulur numrin e shkollave në 103.

Me këtë, tha ministria, politika e zbatuar nga Greqia nëpërmjet “pezullimit të përkohshëm” ndaj shkollave fillore të pakicës turke në Trakinë Perëndimore është bërë sistematike.

“Dënojmë vendimin e Greqisë për mbylljen e 12 shkollave fillore të pakicës turke në Trakinë Perëndimore me arsyetimin e masave të kursimit dhe pamjaftueshmërisë së nxënësve”, tha MPJ e Turqisë.

Ministria më tej theksoi se vendimet në fjalë, të cilat shkelin kushtet e Marrëveshjes së Paqes së Lozanës, janë një tregues tjetër i politikave të asimilimit dhe shtypjes të ndjekura për dekada kundër turqve në Trakinë Perëndimore, të reflektuara në fushën e arsimit.

Deklarata thotë se Greqia nga njëra anë mbyll shkolla fillore me pretekstin e mungesës së nxënësve, ndërsa nga ana tjetër injoron kërkesat për hapjen e një shkolle të re pavarësisht nevojës dhe shkel të drejtat arsimore të fëmijëve të pakicave me pretekste të ndryshme.

“Ne e ftojmë Greqinë t’i japë fund politikës së saj diskriminuese ndaj shkollave të pakicave, siç shihet në legjislacionin e fundit. Bashkësia ndërkombëtare, Bashkimi Evropian dhe Këshilli Evropian nuk duhet të jenë më spektatorë të shkeljes sistematike të të drejtave të njeriut në një shtet anëtar. Turqia, qoftë në takimet bilaterale dhe platformat ndërkombëtare, do të vazhdojë të mbështesë luftën e pakicës për të drejtat e tyre”, thuhet më tej.

Ministria greke e Arsimit, gjatë ditës vendosi mbylljen e 12 shkollave të pakicës në Trakinë Perëndimore duke u arsyetuar në pamjaftueshmërinë e nxënësve.

Që nga viti 2011, me të njëjtin arsyetim, Greqia ka mbyllur gjithsej 132 shkolla fillore të pakicës turke, duke e ulur numrin e tyre në 103.