Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) të Turqisë ka deklaruar se vendi nuk do të komprometojë të drejtat e saj sovrane në ishullin Meis, ose hapësirën ajrore që mbulon 10 milje detare, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Asnjë sanksion nuk do ta shtyjë kurrë Turqinë të bëjë kompromise për të drejtat e saj sovrane në Meis/Kastellorizo ose në hapësirën ajrore prej 10 miëje detare”, thonë nga MPJ-ja turke në Twitter në përgjigje të artikullit të ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias kundër Turqisë.
Ministria vuri në dukje se Greqia, “fëmija i llastuar i Evropës”, synon të provokojë sanksione të BE-së ndaj Turqisë bazuar në “pretendimet e saj maksimaliste dhe të paligjshme të kufirit detar apo hapësirës ajrore”.
“Greqia duhet të angazhohet në dialog të pakushtëzuar me Turqinë, më shpejt sesa më vonë”, thuhet në kumtesë.
Mes tensioneve të fundit në rajon, Greqia dhe administrata e Qipros Greke kanë rritur presionin e tyre ndaj anëtarëve të tjerë të BE-së për të vendosur sanksione ndaj Turqisë gjatë samitit të ardhshëm të liderëve të BE-së.
Turqia, e cila ka vijën më të gjatë bregdetare kontinentale në Mesdheun Lindor, ka hedhur poshtë pretendimet kufitare detare të Greqisë dhe administratës së Qipros Greke dhe ka theksuar se këto pretendime të tepërta shkelin të drejtat sovrane të Turqisë dhe Qipros Turke.
Ankaraja ka dërguar disa anije eksploruese në javët e fundit për të eksploruar burimet e energjisë në Mesdheun Lindor, duke siguruar të drejtat e saj në rajon, si dhe ato të Republikës Turke të Qipros Veriore.
Liderët turq kanë theksuar vazhdimisht se Ankaraja është në favor të zgjidhjes së të gjitha problemeve të pazgjidhura në rajon përmes ligjit ndërkombëtar, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut dhe negociatave.