Turqi, mijëra shoferë u gjobitën për pirje të duhanit në automjete

Policët e trafikut zbatojnë politikën kundër përdorimit të duhanit

Më shumë se 5.000 persona në të gjithë Turqinë janë gjobitur për shkak të pirjes së duhanit në automjete, bëri të ditur sot Ministria e Brendshme, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjithsej 37.065 efektivë në të gjithë vendin zbatuan të mërkurën politikën “automjete pa tym” të ndihmuar nga 169 qen nuhatës.

Me këtë rast u kontrolluan rreth 150 mijë automjete.

Politika “automjetet pa tym” pasoi pas vërejtjeve të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan për gazetarët të shtunën, i cili tha: “Unë ndonjëherë shoh shoferë që pinë cigare në automjete dhe sa herë që i shoh i paralajmëroj. U them atyre se është e turpshme”. Tani ne jemi lëshuar në parandalimin e pirjes së duhanit nga shoferi dhe pasagjerët tjerë.

Erdoğan prej kohësh ka theksuar luftën kundër varësisë së duhanit në Turqi. Në korrik 2009, u vendos një ndalim i plotë i pirjes së duhanit në të gjitha hapësirat e mbyllura, përfshirë restorantet, baret dhe kafenetë ndërsa më vonë ndalesa u zgjerua edhe në vendet e tjera, siç janë stadiumet dhe oborret.
Gjithashtu, mbi 9.000 automjete u gjobitën për mungesë të dokumenteve të duhura dhe parregullsive. Gati 2.000 automjete u përjashtuan nga trafiku.

Rreth 693 të dyshuar, të kërkuar për krime të ndryshme, përfshirë vrasjen me dashje, anëtarësim në një grup të armatosur terrorist dhe krime të lidhura me drogën, u arrestuan gjatë kontrolleve.

Gjashtë persona të zhdukur, përfshirë dy fëmijë, gjithashtu u gjetën.