Turqi, brenda një jave neutralizohen 46 terroristë të PKK-së

Ministria e Punëve të Brendshme e Turqisë njoftoi se forcat e sigurisë të këtij vendi në periudhën prej 10 deri më 17 shtator kanë kryer gjithsej 2.575 operacione antiterroriste

Forcat turke të sigurisë gjatë operacioneve të javës së kaluar në mbarë vendin kanë neutralizuar së paku 46 terroristë të PKK-së, duke përfshirë dy zyrtarë të rangut të lartë në këtë organizatë terroriste, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Punëve të Brendshme e Turqisë njoftoi se forcat e sigurisë të këtij vendi në periudhën prej 10 deri më 17 shtator kanë kryer gjithsej 2.575 operacione antiterroriste.

Në njoftimin theksohet se në këto operacione janë vrarë 16 dhe arrestuar 20 terroristë, ndërsa dhjetë të tjerë u janë dorëzuar forcave turke.

Në mesin e të neutralizuarve janë edhe dy terroristë të rangut të lartë të PKK-së, bëhet fjalë për Firat Dagdelen i cili ka përdorur edhe emrin e koduar Servan Cevlik“ dhe ka qenë në listën “gri” të terroristëve më të kërkuar dhe Sabri Kartali.

Në periferinë e tetë provincave turke janë shkatërruar 13 strehimore të sapozbuluara terroriste dhe është konfiskuar sasi e madhe e armëve dhe mjeteve shpërthyese.

PKK-ja është organizatë separatiste e cila gjendet në listën e grupeve terroriste në Turqi, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Gjatë fushatës tredekadëshe terroriste kundër Turqisë, terroristët e PKK-së kanë vrarë së paku 40.000 persona.