Türkiye vendos kufizime për eksportet ndaj Izraelit i cili vazhdon sulmet ndaj Palestinës

Ministria e Tregtisë së Türkiyes vendosi zbatimin e kufizimeve të eksportit për 54 grupe produktesh kundër Izraelit i cili vazhdon sulmet e tij ndaj Palestinës, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë nga Ministria janë përfshirë arsyet e vendimit kundër Izraelit dhe grupet e produkteve që do t’i nënshtrohen kufizimeve të eksportit. Në deklaratë thuhet se në masakrën totale ndaj popullit të pafajshëm palestinez dhe vendbanimeve civile, që Izraeli po kryen në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, numri i palestinezëve të vrarë ka kaluar 33 mijë ndërsa edhe numri i të plagosurve ka kaluar mbi qindra mijëra shumicën e të cilëve e përbëjnë gratë dhe fëmijët.

Rripi i Gazës ka pësuar shkatërrim të madh, thuhet në deklaratën ku theksohet se populli palestinez që përpiqet të mbijetojë këtu po lufton me uri të paparë dhe të gjitha llojet e varfërisë, ku qasja e tyre në produktet ushqimore më elementare, ndihma mjekësore dhe materiale pengohet nga Izraeli ndërkohë që janë shtuar vdekjet nga uria dhe janë përhapur sëmundjet epidemike.

Që nga 7 tetori e deri më tani Türkiye ka bërë përpjekje politike dhe diplomatike në nivelin më të lartë, si para palëve ashtu edhe në arenën ndërkombëtare por edhe brenda botës islame, për të ndalur konfliktet, për të parandaluar humbjet njerëzore dhe shkatërrimin fizik, për të kërkuar fillimisht armëpushim të përhershëm, zgjidhje diplomatike dhe për rindërtimin e Gazës.

“Pas fillimit të sulmeve izraelite, Türkiye vrapoi drejt Gazës për të ndihmuar popullin e saj atje dhe dërgoi dhjetëra mijëra tonë ndihma me anije dhe avionë, kryesisht ndihmë ushqimore, shëndetësore, ndihmë mjekësore dhe evakuimin e mijëra pacientëve si dhe është bërë një nga dy vendet lider në botë në këtë fushë. Bashkë me këtë, Izraeli vazhdon të shkelë në mënyrë të hapur të drejtën ndërkombëtare dhe injoron thirrjet e panumërta të komunitetit ndërkombëtar për armëpushim politik dhe ligjor dhe ndihmë të pandërprerë humanitare”.

– Rikujtohen rezolutat e OKB-së

Deklarata tërheq vëmendjen se Izraeli nuk ka zbatuar asnjë rezolutë të marrë në këtë drejtim nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, të cilat janë gurët bazë të ndërtimit të ligjit dhe rendit ndërkombëtar.

Ndërkohë rezolutat në fjalë janë si më poshtë:

“Rezolutat 2728, 2720 dhe 2712 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, rezolutat ES-10/21 dhe ES-10/22 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, rezolutat numër A/HRC55/L.30 të e Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, masat paraprake të datës 26 janar dhe 28 mars 2024 që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka marrë kundër Izraelit në kuadër të padisë së ngritur kundër tij me pretendimin për shkelje të konventës për gjenocidin”.

Në deklaratë nënvizohet se vendimet në fjalë e ngarkojnë Izraelin me përgjegjësinë që të arrijë qartë armëpushim dhe në bashkëpunim të plotë me OKB-në, të lejojë ofrimin e pandërprerë të të gjithë ndihmave humanitare bazë, përfshirë furnizimet mjekësore dhe shërbimet shëndetësore për palestinezët në Rripin e Gazës.

– Vendimi i kufizimit është i vlefshëm nga sot

Në deklaratë theksohet se Vendimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë ligjërisht të detyrueshme.

“Türkiye shumë herë ka deklaruar se do të ndjekë zbatimin e të gjitha këtyre vendimeve. Në këtë drejtim, që nga 9 prilli 2024 Türkiye ka vendosur të kufizojë eksportin ndaj Izraelit për produktet që ndodhen nën grupet e produkteve të përcaktuara në fazën e parë. Kërkesat e këtij vendimi do të zbatohet menjëherë nga Ministria e Tregtisë. Kufizimet do të zbatohen derisa Izraeli të deklarojë armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe të lejojë ndihmën e mjaftueshme dhe të pandërprerë në Rripin e Gazës në kuadër të detyrimeve të tij që rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare”.

– “Shitja e produkteve ushtarake nuk është lejuar dhe nuk do të lejohet”

Në deklaratë u përfshinë edhe mesazhe në mbështetje të Palestinës. Pasi thuhet se Izraelit nuk i është shitur asnjë produkt ushtarak, në deklaratë thuhet se: “Në fakt, vendi ynë që prej shumë kohësh më parë nuk ka lejuar dhe nuk do të lejojë shitjen ndaj Izraelit të asnjë produkti apo shërbimi që mund të përdoret për qëllime ushtarake. Në kuadër të situatës së rëndë ku është arritur në Rripin e Gazës, thirrja jonë për të gjithë anëtarët e komunitetit ndërkombëtar duhet të sigurojnë që Izraeli të përmbushë detyrimet e tij që dalin nga e drejta ndërkombëtare. Si republikë dhe popull i Türkiyes, ashtu siç kemi bërë deri sot ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë dhe të mbështesim Palestinën dhe popullin e saj”.

– Në listën e kufizimeve ndodhe 54 grupe produktesh

Grupet e produkteve për të cilat Ministria e Tregtisë ka vendosur të kufizojë eksportet ndaj Izraelit janë si më poshtë:

Profilet e aluminit, tela alumini, bojërat, shufrat dhe telat e bakrit, betoniere, tuba çeliku dhe pjesë lidhëse, shufra prej teli çeliku, kontejnerë dhe depozita çeliku, pjesët çeliku për urë, kulla çeliku, profile çeliku, çimento, blloqe dhe pllaka ndërtimi prej çimento, betoni ose gurit artificial, të gjitha materialet e ndërtimit prej hekuri dhe çeliku, të gjitha telat prej hekuri dhe çeliku, eksavatorë, kabllo elektrike, panele elektrike, pllaka, kabllot me fibra optike dhe përcjellës elektrik, forkliftet (pirunët), granit, litarë dhe kabllo, produkte dhe materiale për ndërtim, vajra hidraulike, hekur ndërtimi, makineri ndërtimi, materialet izoluese të ndërtimit, xhama që përdoren në ndërtim, komponentë kimike, plehra kimike, klinker (për prodhimin e çimentos), kova, makineri me kovë, lopata, kapëse dhe çengelë, squfuri, vajra mineral, zinxhirë me rul, mermer, makinat e përpunimit të metaleve, kimikatet që përdoren në përpunimin e metaleve, plehrat minerale, vajrat e motorit, paleta, tuba plastik, panele sanduiç, qeramika, bojëra tretës, makineri për tela, makineri sharrë, tulla, benzina për avionë dhe karburanti për avionët jet, llojet e llakut, vinça, ngjitës dhe tutkallet dhe produkte prej çeliku të sheshtë.