Türkiye, varroset 5-vjeçari që humbi jetën në sulmin terrorist të YPG/PKK-së

Është mbajtur ceremonia e varrimit të 5-vjeçarit Hasan Karataş i cili humbi jetën për shkak të raketave-mortaja të hedhura dje nga anëtarët e organizatës terroriste YPG/PKK në veri të Sirisë ndaj rajonit Karkamış, në qytetin Gaziantep të Türkiye-s, raporton Anadolu Agency (AA).

Arkivoli i 5-vjeçarit Hasan Karataş i mbështjellë me flamurin turk, mbërriti në lagjen Karanfil në periferi të rajonit pas procedurave të kryera në Institucionin e Mjekësisë Ligjore në Gaziantep.

Në sheshin e lagjes u mbajt falja e xhenazes e drejtuar nga myftiu i qytetit Gaziantep, Hüseyin Hazırlar, dhe 5-vjeçari u varros më pas në varrezën e lagjes Karanfil.

Në ceremoninë e varrimit krahas familjarëve dhe të afërmeve, morën pjesë guvernatori i qytetit Gaziantep, Davut Gül, komandanti i Brigadës së 5-të të Blinduar, Gjeneral Brigade Hacı Halil Osma, kryetarja e Bashkisë Fatma Şahin, deputetë dhe qytetarë të shumtë.

Fëmija 5-vjeçar Hasan Karataş humbi jetën pasi një raketë-mortajë e lëshuar dje nga organizata terroriste YPG/PKK goditi shtëpinë në bulevardin Okul, në qendrën e qytezës Karkamış.