Turkish Airlines shkurton disa fluturime për në Kinë

Rënia e kërkesës vjen pas shpërthimit të koronavirusit, epiqendra e të cilës është qyteti Wuhan i provincës kineze Hubei

Turkish Airlines ka bërë të ditur se duke filluar nga java e ardhshme do të ul ritmin e fluturimeve në katër destinacione kineze për shkak të rënies së konsiderueshme të kërkesës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Rënia e kërkesës vjen pas shpërthimit të koronavirusit, epiqendra e të cilës është qyteti Wuhan i provincës kineze Hubei.

Nënkryetari i kompanisë së Turkish Airlines, Yahya Üstün, tha se kjo masë e vendosur mes datave 05-29 shkurt përfshin fluturimet e planifikuara të kompanisë kombëtare turke për në kryeqytetin e Kinës, Pekin, si dhe në qytetet Guangzhou, Shanghai dhe Xian.

Üstün po ashtu njoftoi se për ndihmën e nevojshme mbi ndryshimin e datës apo kthimit të biletave, pasagjerët mund të adresohen në ueb faqen e internetit, në qendrat e thirrjeve dhe zyrat e kompanisë ajrore.