Turizmi zgjatet gjatë gjithë vitit, net-qëndrimet e të huajve rriten me 69% në janar

Turizmi po gjen shtrirje gjatë gjithë vitit. Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se në muajin janar ka një rritje të ndjeshme të net-qëndrimeve, sidomos të të huajve, me gati 70% në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë.

INSTAT njoftoi në treguesit e shfrytëzimit të kapaciteteve të strukturave akomoduese se numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 27,1%, në krahasim me janar 2023.

Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm:

  • numri i vizitorëve rezidentë është rritur me 14,3%;
  • numri i vizitorëve jorezidentë është rritur me 42,3%.

Numri i net-qëndrimeve gjithsej është rritur me 49,4%, në krahasim me janar 2023. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm:

  • numri i net-qëndrimeve nga rezidentë është rritur me 30,3%;
  • numri i net-qëndrimeve nga jorezidentë është rritur me 69,3%.

Vizitorë

Gjatë muajit janar 2024, është shënuar rritje e numrit të vizitorëve gjithsej me 27,1%, krahasuar me janar 2023. Numri i vizitorëve joërezidentë të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritje me 55,7%. Në Zonat Jobregdetare ky tregues është rritur me 30,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i vizitorëve jorezidentë të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 42,6%.

Në muajin Janar 2024, numri më i lartë i vizitorëve rezulton:

  • sipas rajoneve në “Rajonin Qendër“ (59,3%);
  • sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Jobregdetare” (68,0%);
  • sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (95,4%)

Net-qëndrime, kryesojnë Kosova dhe Italia

Gjatë muajit Janar 2024, numri i net-qëndrimeve gjithsej është rritur me 49,4% në krahasim me muajin Janar 2023. Numri i net-qëndrimeve të vizitorëve jorezidentë të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritje me 82,1%.

Në Zonat Jobregdetare ky tregues është rritur me 71,3, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i net-qëndrimeve të vizitorëve jorezidentë të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 71,0%.

Në muajin Janar 2024, numri më i lartë i netë qëndrimeve është realizuar:

  • sipas rajoneve në “Rajonin Qendër“ (63,2%);
  • sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Jo-bregdetare” (69,3%);
  • sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (95,4%).

Sipas shteteve, kryeson Kosova, me 15.6% të net-qëndrimeve të jo rezidentëve, e ndjekur nga Italia me 13.4% dhe Gjermania me 4.6%.

Rritet norma neto e shfrytëzimit

Normat neto të shfrytëzimit, të dhomave dhe të shtretërve, janë dy tregues të cilët masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë.

Gjatë këtij muaji, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 14,2%, kundrejt 8,6% që ishte në muajin Janar 2023. Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 14,0%, kundrejt 7,2% që ishte në muajin Janar 2023.