Në cilin vend të botës shihet më bukur lindja e Diellit? Kësaj pyetjeje mund t’i jepen përgjigje të shumta. Një prej tyre është edhe mali Nemrut në juglindje të Turqisë. I lartë 2.150 m, ky mal u ofron vizitorëve një shfaqje pamore spektakulare gjatë lindjes së Diellit.
Sigurisht që kjo nuk është e vetmja karakteristikë e malit Nemrut. Në majë të këtij mali ju presin skulptura madhështore nga periudha e Mbretërisë Komagjene, të cilat lënë gojëhapur çdo vizitor. Në mendje të vjen menjëherë pyetja: “Si janë realizuar ato në këtë majë mali apo si janë sjellë këtu?”
Në majën e Nemrutit ka një kodërvarr (tumë), skulptura kolosale të vendosura mbi disa brezare të hapura në krahët lindorë dhe perëndimorë të kësaj tume, si dhe vepra të shumta në altoreliev. Pas deshifrimit të një mbishkrimi në greqishten e lashtë, u zbulua se këto vepra i përkisnin qytetërimit Komagjen dhe ishin ndërtuar me urdhër të Mbretit Antiok I.
Mbreti ka porositur ndërtimin e tempujve në zona të ndryshme të mbretërisë duke u nisur nga bindja se ato do të fuqizojnë lidhjen me perënditë dhe do t’i mundësojnë popullit të tij një jetë të paqme e të begatë. Veprat në majë të Nemrutit janë pjesë e njërit prej këtyre tempujve. Kodërvarri, skulpturat monumentale, epitafet disa metra të larta dhe kodërvarri në majën e këtij mali, të gjitha këto të ndërtuara me urdhër të Antiokut I për të shfaqur mirënjohjen e tij ndaj perëndive dhe të parëve, janë disa nga veprat më të jashtëzakonshme të periudhës helenistike.
Në malin Nemrut, i cili është në Listën e Trashëgimisë Kulturore Botërore të Organizatës Arsimore, Shkencore dhe Kulturore të Kombeve të Bashkuara (UNESCO), mund të shkohet nga qyteza Kahta e provincës Adiyaman të Turqisë.
Por veprat historike që mund të shikoni në këtë zonë nuk kufizohen me kaq. Ne ju këshillojmë të mos ktheheni pa vizituar gjithashtu Tumën e Karakusit, Kalanë e Re (Yenikale), Urën e Xhenderesë (Cendere Köprüsü) dhe Rrënojat e Arsameias.
Gjithashtu ju sugjerojmë të hani peshkun e freskët të liqenit artificial të Kahtas, të shijoni gjellët tradicionale të krahinës, si dhe të shikoni apo edhe të blini qilimat artizanalë me figura të mrekullueshme të kësaj zone në Turqi.
Mali Nemrut ju pret me gjithë misterin e tij…
Mirupjekshim në destinacionin e radhës!/trt