Hyrja e mbi 10 milionë të huajve në vend gjatë vitit 2023 tashmë është “certifikuar” edhe nga shifrat zyrtare të Institutit të Statistikave.
Vetëm në dhjetor në vend kanë hyrë mbi 616 mijë të huaj me një rritje 57.6 për qind në raport me të njëjtin muaj të vitit të shkuar.
Hyrjet kryesore kanë qenë nga vendet e Europës ku një pjesë e turistëve edhe për shkak të festave janë kryesisht emigrantë që kthehen në vend pranë familjeve dhe të afërmeve.
“Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë vitit 2023 është 10.155.640, duke u rritur me 34,6%, në krahasim me vitin 2022. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga Shqipëria në vitin 2023 është 6.913.347, duke u rritur 17,5%, krahasuar me vitin e mëparshëm
Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Dhjetor 2023, janë 1.362.511. Ky tregues rezulton me një rritje 41,1%, krahasuar me Dhjetor 2022. Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Dhjetor 2023, janë 1.152.429, duke shënuar një rritje me 7,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Hyrjet e shtetasve Në Dhjetor 2023, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 745.517. Ky numër është rritur me 29,9%, krahasuar me Dhjetor 2022. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 616.994. Ky numër është rritur me 57,6%, krahasuar me Dhjetor 2022”, thuhet në publikimin e INSTAT.
Referuar shifrave në Dhjetor 2023 rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 571.348 shtetas pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore /Paqësori, përkatësisht me 9.845 dhe 2.617 shtetas
Ndërkohë sa i takon arsyeve hyrjet e shtetasve të huaj shënojnë: rritje, për qëllime personale me 58,4%; rritje, për qëllime pushime, vizitë tek të afërm etj. me 65,1%; rritje, për biznes dhe qëllime profesionale me 20,4%.
Daljet e shtetasve
Teksa numri i të huajve që kanë hyrë në vend në fund të vitit ka qenë në rritje duket se shtetasit shqiptarë kanë udhëtuar më pak jashtë vendit.
“Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Dhjetor 2023 janë 602.346. Krahasuar me Dhjetor 2022, ky tregues ka rënë me 5,1%. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Dhjetor 2023 janë 550.083.
Krahasuar me Dhjetor 2022, ky tregues është rritur me 26,3%. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë vitit 2023, është 6.913.347, duke u rritur me 17,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, thuhet në publikim.