Tsipras kërkon votën për rritjen me 11 % të pagës minimale

Kryeministri grek Alexis Tsipras njoftoi të hënën se ka në plan të rrisë pagën minimale mujore me rreth 11 për qind, rritje e parë e tillë që kur kriza e borxhit të vendit shpërtheu pothuajse një dekadë më parë.

Kryeministri grek Alexis Tsipras njoftoi të hënën se ka në plan të rrisë pagën minimale mujore me rreth 11 për qind, rritje e parë e tillë që kur kriza e borxhit të vendit shpërtheu pothuajse një dekadë më parë.

Vendi doli në gusht nga paketa e saj e tretë ndërkombëtare e shpëtimit, që nga viti 2010 dhe qeveria, e cila përballet me zgjedhje kombëtare këtë vit, ka premtuar të ndryshojë disa nga reformat jopopullore të zbatuara nga Greqia nën mbikëqyrjen e kreditorëve.

“Unë po ju bëj thirrje, pas një dekade të shkurtimeve të pagave, për të bërë një hap tjetër historik”, tha Tsipras, duke i bërë thirrje qeverisë së tij të miratojë propozimin e ministrisë së punës për një rritje në 650 euro nga 586 euro aktualisht, të pagës minimale.

Tsipras, i cili u zgjodh në vitin 2015 duke u zotuar t’i japë fund masave shtrënguese, por më vonë nënshkroi me paketën e tretë të Greqisë, propozoi gjithashtu heqjen e pagës minimale të të rinjve, për ata nën moshën 25-vjeçare.

Ministrat e përgëzuan dhe Tsiprasi duke qeshur u përgjigj: “Nga reagimi juaj unë mendoj se propozimi im do të miratohet”. Plani duhet të miratohet nga parlamenti në ditët në vijim, që të hyjë në fuqi muajin e ardhshëm, siç shpreson qeveria.

Athina u kishte thënë huadhënësve të saj evropianë se do të rikthente procesin e rritjes së pagës minimale pas përfundimit të paketës së ndihmës. Greqia e uli pagën minimale mujore standarde me 22 për qind në 586 euro në 2012, kur u zhyt në recesion.

Punëtorët nën 25 vjet kanë pësuar ulje më të madhe të pagave, si pjesë e masave të parashikuara nga huadhënësit ndërkombëtarë, për të bërë tregun e punës më fleksibël dhe ekonominë më konkurruese. Greqia parashikon rritje ekonomike prej 2.5 për qind këtë vit.

“Rritja minimale e pagave shënon fillimin e një epoke të re për punëtorët grekë që mbanin peshën e krizës mbi shpatullat e tyre”, tha për Reuters, Ministrja e Punës, Effie Acthsioglou.

“Ky vendim vërteton në praktikë se çfarë do të thotë të kesh qeverinë e majtë në drejtimin e vendit”./TCh