Trump “zbutet” përballë Merkel – Samiti i NATO-s, Macron: Gjermania nuk kontrollohet nga Rusia

Lufta tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe ekonomive të tjera më të mëdha, ka zënë vend edhe në samitin e NATO-s.

Lufta tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe ekonomive të tjera më të mëdha, ka zënë vend edhe në samitin e NATO-s.

Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, u përpoq të zbusë mosmarrëveshjet tregtare mes SHBA dhe Bashkimit Europian, pavarësisht se nuk është një çështje që i takon kësaj organizate. Duke folur në forumin për kontributet e vendeve anëtare, Stoltenberg tha se, si sekretar i përgjithshëm i aleancës e ka për detyrë të minimizojë ndikimin negativ në institucionin e mbrojtjes.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump e zbuti tonin ndaj Gjermanisë, që e akuzoi më herët se kontrollohet nga Rusia. Gjatë takimit me kancelaren Angela Merkel, Trump tha se u diskutua për gazsjellësin rus, që do të transportojë gaz drejt Gjermanisë, por nuk pranoi të flasë rreth akuzave të mëparshme. “Unë dhe Merkel kemi marrëdhënie shumë të mira”, ishte komenti i Trump. Ndërsa kancelarja gjermane tha se, gjatë takimit u diskutua për rritjen e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare.

Marrëdhëniet më të mira, duket se Trump i ka me presidentin e Francës, Emmanuel Macron. “Ai po bën një punë të jashtëzakonshme. Duke qenë president i Francës, ai po ndryshon shumë gjëra. Ne kemi një marrëdhënie të jashtëzakonshme. Po diskutojmë për tregtinë, për NATO-n dhe për shumë gjëra të ndryshme, mbi mënyrën se si duhet të funksionojnë”, tha Trump. Ndërsa Macron u shpreh se nuk bie aspak dakord me Trump, se Gjermania kontrollohet nga Rusia.

Gjithsesi, në hapje të samitit, presidenti amerikan i ka kërkuar edhe një herë tjetër vendeve anëtarë të NATO-s që të shpenzojnë më tepër për mbrojtjen, në 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

https://youtu.be/jv5bbrZGbUE

Burimi: Scan