Trump thirrje regjimit të Asadit për ndërprerje të menjëhershme të sulmeve në Idlib

Çfarë është qëllimi, çfarë do t'iu sjellë kjo? Ndal", porosit presidenti i SHBA-së, Donald Trump

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump i ka bërë thirrje regjimit të presidentit sirian Bashar al-Asad dhe aleatët e tij rus dhe iranian që urgjentisht të ndalojnë sulmet në provincën veriperëndimore siriane të Idlibit, raporton Anadolu Agency (AA).

“Dëgjoj se Rusia, Siria dhe në përmasa më të vogla Irani bombardojnë ashpër provincën e Idlibit dhe vrasin shumë civilë të pafajshëm. Bota sheh këto masakra. Cili është qëllimi, çfarë do t’ju sjellë kjo? Ndal”, porosit presidenti i SHBA-së, Trump.

Mbrojtja Civile “Helmetat e Bardha” njoftuan se në muajin e fundit në sulmet në Idlib janë vrarë të paktën 160 civilë dhe janë zhvendosur mbi 27 mijë civilë.

Idlibi është enklava më e madhe nën kontrollin e opozitës në Siri ku aktualisht jetojnë rreth 1.5 milion njerëz, kryesisht të zhvendosur nga rajonet tjera.

Me ndërmjetësimin e Turqisë dhe Rusisë në Soçi në shtator të vitit të kaluar u arrit marrëveshje armëpushimi në Idlib dhe vendosja e zonës së deeskalimit për civilët.

Në përputhje me marrëveshjen forcat opozitare në tetor tërhoqën armët e rënda nga rajoni ndërsa forcat besnike të regjimit të Asadit nuk kanë ndërprerë sulme altilerike dhe ajrore në rajon.

Nga shtatori i vitit të kaluar armëpushimi i arritur nga ky rajon janë zhvendosur mbi gjysëm milioni njerëz.