Trump mbron samitin me Putinin, i quan “armiq” ata që e kritikojnë

“Me Putinin diskutuam çështje të shumta të rëndësishme. Kuptohemi mirë dhe kjo i shqetësoi një numër të madh të armiqve të cilët donin të shohin një ndeshje boksi”, tha Trump

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, duke e mbrojtur samitin e mbajtur me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, ata të cilët e kritikojnë këtë takim i quajti “armiq” të cilët nuk duan që ai të kalojë mirë me Putinin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Trump, në një postim në llogarinë e tij në Twitter, në lidhje me samitin e mbajtur në kryeqytetin e Finlandës, në Helsinki, tha se, “Me Putinin diskutuam çështje të shumta të rëndësishme. Kuptohemi mirë dhe kjo i shqetësoi një numër të madh të armiqve të cilët donin të shohin një ndeshje boksi”.

Sipas tij, ky samit do të sjellë rezultate të mëdha.

Trump në një postim tjetër tha se Rusia ka pranuar të ndihmojë për çështjen e Koresë së Veriut dhe se procesi po vazhdon.

“Nuk ka nevojë për nxitim, sanksionet po vazhdojnë!”, shkroi Trump, duke u shprehur se në përfundim të procesit bëhet fjalë për “përfitime të mëdha dhe një të ardhme emocionuese” për Korenë e Veriut.

Gjatë konferencës së përbashkët për media me presidentin rus Putin, Trump tha se fjalët e tij në lidhje me atë se ai nuk iu beson pretendimeve se Rusia është përfshirë në zgjedhjet presidenciale janë kuptuar gabim.

Përkundër asaj se gjatë konferencës për media u shpreh “Pse të mendoj se ishte Rusia”, presidenti Trump tha se ajo që kishte dashur të thoshte në të vërtetë është “Pse të mos mendoj se ishte Rusia”.

Donald Trump po ashtu ishte shprehur se, “Pranoj raportet e organizatave të inteligjencës në drejtim të asaj se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016”.