TRT World kandidat për çmimin Emmy

Televizioni i Parë i Turqisë me programin në gjuhën angleze TRT World për herë të parë është kandidat për çmimin Emmy, i njohur edhe si Oscar-i i botës televizive

Sipas TRT World, episodi “Vdekja e heshtur” nga seritë dokumentare “Off the Grid”, që merret me trafikimin e organeve njerëzore në Lindjen e Mesme, është kandidati për këtë vit për çmimin Emmy në kategorinë e “Programit aktual të lajmeve” raporton Anadolu Agency (AA).

Kështu, TRT World do të garojë për herë të parë edhe me shtatë përmbajtje të nominuara të publikuara në TV kanalet më prestigjioze botërore.

Çmimi do të ndahet më 1 tetor në Nju Jork.

“Vdekja e heshtur” vitin e kaluar në Itali u shpërblye me Çmimin Ndërkombëtar të Gazetarisë Hulumtuese.

Seriali dokumentar flet për jetën e refugjatëve që shesin organet për të ushqyer familjet e tyre. Në serial flasin edhe viktimat, por edhe trafikantët.

Filmi dokumentar i TRT World mbi jetën në rajonet siriane që ushtria turke ka pastruar nga terroristët e DEASH-it më herët fitoi çmimin për produksionin më të mirë në festivalin BroadcastPro në Dubai.