Tremujori I, kredia e re arrin nivelin më të lartë në shtatë vjet

Kreditimi i ekonomisë u rrit edhe për muajin mars. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se sektori bankar disbursoi mbi 28 miliardë Lekë kredi të reja, 26% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ecuria pozitive e marsit bëri që kredia e re për tremujorin e parë të vitit të arrinte dukshëm nivelet më të larta në të paktën shtatë vitet e fundit. Vlera totale e kredive të reja të dhëna në tre muaj arriti në 65.7 miliardë Lekë ose rreth 540 milionë Euro, pothuajse 37% më shumë krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.

Të dhënat e deritanishme tregojnë se inflacioni në rritje dhe shqetësimet për efektet që ai mund të japë në ekonomi nuk po e ndikon negativisht huadhënien, që vazhdon të ndjekë ritmet pozitive të vitit të kaluar. Madje, në këtë fazë efekti i inflacionit mund ta ketë ndikuar pozitivisht rritjen e kredisë. Bankierët shpjegojnë se rritja e çmimeve do të sjellë nevoja më të mëdha për mjete qarkulluese të bizneseve, sidomos të atyre importuese. Kjo do të përkthehet në më shumë kërkesë për kredi bankare. Të dhënat e tremujorit të parë tregojnë se kredia e re për bizneset arriti në 42.7 miliardë Lekë, me një rritje prej 47% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e lartë e kredisë për ndërmarrjet private duket se konfirmon pjesërisht efektin e inflacionit në drejtim të rritjes së huasë për mjete qarkulluese, por, megjithatë, edhe këtë vit ritmet më të larta të rritjes po regjistrohen në kreditë për pasuri të paluajtshme. Në vitet e fundit, jo vetëm individët, por edhe bizneset e kanë rritur ndjeshëm huamarrjen për investimin në prona. Kjo tendencë po vazhdon edhe gjatë 2022.

Ndërkohë, gjatë marsit sektori bankar duket se e ka frenuar huadhënien për ndërmarrjet publike. Ky segment shënoi rritje të fortë në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, i nxitur nga nevojat për importe të energjisë elektrike të kompanive publike. Por, për tremujorin e parë të këtij viti huadhënia ndaj këtyre kompanive është paraqitur më e vogël, për një shumë totale prej 3.7 miliardë Lekësh, pothuajse në të njëjtat nivele me tremujorin e parë të vitit të kaluar.

Kreditimi në segmentin e individëve po vijon tendencën pozitive edhe gjatë këtij viti. për tremujorin, huaja e re për individë arriti në 19 miliardë Lekë, me një rritje prej 26% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ecuria e kredisë së re paralelisht pozitive, si për kreditë për blerje banesash, ashtu edhe për kreditë konsumatore.

Ecuria e mirë e huadhënies së re po reflektohet edhe në portofolin total të kredisë. Në fund të muajit mars, ky portofol arriti vlerën e 683 miliardë lekëve, ose rreth 5.6 miliardë Eurove. Kredia po ruan ritme të rritje vjetore dyshifrore, me 11.9% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Portofoli i individë vazhdon të ketë ritmet më të larta të rritjes, me 13.6%, ndërsa në segmentin e bizneseve rritja është 8.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.