Tregu i telefonisë celulare nuk gjen prehje

Një rrjedhje informacioni mbi përgatitjen e një nisme të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), për të rregulluar tregun e telefonisë së lëvizshme, tashmë të mbetur me tre operatorë, pas daljes së Plus, ka shkaktuar debate mes kompanive.

Në vijim të kësaj situate, që si duket ka alarmuar disa nga operatoret, AKEP ka njoftuar se është duke analizuar tregun e telefonisë mobile dhe synon marrjen e masave rregullatore për të siguruar konkurrencën efektive dhe mbrojtjen e konsumatorit në tregjet e komunikimeve elektronike duke saktësuar se do të shpallë një vendim javën që vjen. Ky është një përcaktim shumë i gjerë i masave të mundshme, qe mund të përfshijë nga “asgjëja” në “gjithçka”. Nuk dihet nëse kjo është diçka e bërë për të fituar pak kohë më tepër, apo nëse është efekti i presionit nga Operatorët e cenuar dhe ka bërë AKEP të rikonsideroje vendimet që po përgatitet të marrë.

Masat që u përcollën në shtyp si të mundshme kanë të bëjnë me rritjen e asimetrisë për tarifat me shumicë të terminimit në tregun e telefonisë së lëvizshme, për thirrjet dalëse nga operatorët më të mëdhenj, tek operatoret më të vegjël. Në praktikë kjo ndërhyrje do të favorizonte AlbTelekom si operatorin e tretë në treg dhe diçka më pak Telekom si operatori i dytë, ndaj operatorit më të madh në treg që është Vodafone. Kjo do të thotë që Albtelecom do të marrë më shumë të ardhura për thirrjet nga numrat e Vodafone dhe Telecom Albania drejt Albtelecom dhe për thirrjet në drejtim të kundërt, Albtelecom do t’u paguajë më pak dy kompanive të mëdha. (Ne një masë më të vogël kjo ndodh edhe në marrëdhënien e Telekom me Vodafone, në favor të të parit.)

Situata ligjore e rregullimit të tregut është paksa kaotike pasi në një vendim të muajve të fundit Gjykata e Lartë ka hedhur poshtë një akt të AKEP që e rregullonte atë, duke pranuar një ankim të Operatorit Plus të bërë përpara se ai të dilte nga tregu dhe për pasojë AKEP do të duhet të dilte me një vendim të ri për periudhën në vijim. Në vendimin e hedhur poshtë nga Gjykata e Lartë, qëndrimi i mbajtur nga AKEP (i drejtuar nga Pirro Xhixha-prurje e LSI) mbronte një linjë të unifikimit të tarifës së interkoneksionit duke mos e përdorur atë si një mjet të rregullimit të tregut. Ndërkaq, sipas një dokumenti të AKEP (tashmë të drejtuar nga Ilir Zela – prurje e PS) të publikuar nga mediat pak ditë më parë, AKEP, ndërron linjë, duke e rifilluar praktikën e rregullimit të tregut me anë të asimetrisë se çmimeve të terminimit.

Konkretisht, në materialet e publikuara në media, propozohet që nga 1 prilli, Vodafone dhe Telekom do të paguajë për thirrjet drejt Albtelecom 2.66 lekë/min (ishte 1.48), ndërsa për thirrjet e ansasjellta, nga klientët e Albtelecom drejt Vodafone, kompania Albtelecom do i paguajë Vodafone 1.22 lekë, pra 218% më pak. Për Telecom Albania asimetra bëhet 1.48 me 1.22, ku Vodafone është më i penalizuar ndaj Operatorit Greko/Gjerman.

Në këtë mënyrë, sipas materialit të gjithë publikuar në media, i cili i atribuohet  AKEP, i jepet mundësi operatorit më të vogël në treg, që të rrisë peshën në tregun e telefonisë së lëvizshme.

Sipas të dhënave të Autoritetit të Konkurrencës, deri në fund të tremujorit të parë 2017, pjesët e tregut të operatorëve celular për treguesin përdorues aktiv telefoni për tremujorin e parë të viti 2017 janë: Vodafone 48.22%, Telekom Albania 33.95%, Albtelekom 12.6% dhe Plus 5.23%. Aktualisht pjesa e tregut të Plus, i cili doli nga tregu në fund të vitit të kaluar, është shpërndarë mes tre operatorëve, por nuk ka të dhëna të sakta se si është ndarë ai aktualisht.

Nëse realizohet ajo që është paralajmëruar në media, nisma e fundit e AKEP është 180 gradë e ndryshme me qëndrimin që po ky institucion rregullator mbajti me kompaninë Plus. Ky fakt flet shumë për “profesionalizmin” dhe “pavarësinë” e këtij institucioni, pasi vlen të kujtojmë se 4 nga 5 komisionarit e tij janë të njëjtët në të dy rastet e vendimarrjeve diametralisht të kundërta në koncept.

Në rastin konkret, AKEP ka marrë qëndrim me iniciativë për të mbrojtur operatorin më të vogël pavarësisht faktorëve të tjerë si koha në treg apo licencat që zotëron, gjë që iu refuzua në mënyrë sistematike Plus, pavarësisht situatës së rënduar të konkurrencës në treg të konstatuar nga Vendime të Autoritetet të Konkurrencës apo faktit që në treg ishin hedhur po nga AKEP 4 licenca për Operatorë mobile, derisa kompania vendosi që të “hiqte prizën” duke shitur frekuencat tek dy operatorët e mëdhenj Vodafone dhe Telecom Albania dhe duke mbyllur në këtë mënyrë historinë e investimit të vetëm shqiptar në fushën e telefonisë së lëvizshme e duke e lënë tregun për 100% në zoterim të investitorëve Angleze, Greko/Gjermane dhe Turq. (operatori AlbTelekom ka edhe një pjesmarrje të shtetit Shqiptar për një % minoritare rreth 15-18%, ndërsa operatori Telekom ka një pjesmarje minoritare të ish-punonjesve të AMC për një % rreth 2-3%)

Publikimi në media i problematikës dhe pozicionimi i mediave pro e kundër tij, ka nxitur edhe prononcime të aktorëve në treg.

AKEP, sipas  një njoftimi zyrtar tha se “në zbatim të ligjit dhe në referencë të praktikës më të mirë rregullatore po punon për të siguruar konkurrencën efektive në të gjitha tregjet nën mbikëqyrje dhe në rregullim”.

AKEP sqaron se ka kryer procedurën e konsultimit publik si dhe ka administruar komentet e palëve të interesit. Dokumenti i konsultimit gjendet lehtesisht ne faqen web te AKEP https://www.akep.al/images/stories/AKEP/publikime/2016/Analiza_e_Tregut_Celular_Keshillim_Publik_7_12_2016.pdf. Që prej publikimit të këtij dokumenti, AKEP në mënyrë të vazhdueshme ka analizuar tregun, përditësuar të dhënat dhe ka tërhequr mendimet e palëve të interesuara, pohoi AKEP në një njoftim për shtyp.

Por, dy operatorët e mëdhenj kanë reaguar ashpër, duke akuzuar AKEP për mungesë transparence dhe konsultimi në këtë proces. Në një njoftimin zyrtar, Vodafone u shpreh se “AKEP synon të aplikojë tarifa diskriminuese ndaj Vodafone Albania dhe Telekom Albania. Tarifa të tilla penalizojnë klientët e këtyre dy operatorëve pasi do t’u duhet të paguajnë më shumë për telefonatat drejt Albtelecom duke gjeneruar kështu fitime për Albtelecom”.

Lidhur me dokumentin e konsultimin publik Vodafone tha se tarifat e reja të propozuara nga AKEP për operatorët celularë nuk kanë qenë pjesë e dokumentit të konsultimit publik, të cilit AKEP i referohej në njoftimin për shtyp. Masat e ashtu-quajtura rregullatore që AKEP kishte për qëllim të miratonte në mbledhjen e Këshillimit Drejtues, këtë javë, nuk janë komunikuar e as konsultuar ndonjëherë me operatorët në treg, si palë të interesit në këtë proces.

Edhe Telecom Albania ka pohuar në një njoftim zyrtar se “Ky vendim përcakton asimetri (pra nivel jo të barabartë tarifimi mes operatorëve) dhe bën dallim në zbatimin e masave rregulluese, jo-diskriminuese për çmimet e telefonatave brenda dhe jashtë rrjetit mes operatorëve, duke favorizuar dukshëm kompaninë Albtelecom”. Telecom Albania shprehu gjithashtu shqetësimin për mungesë transparence dhe konsultimi paraprak për këtë vendim.

Ndërsa AKEP, pohon në njoftimin për shtyp se ka kryer procedurën e konsultimit publik si dhe ka administruar komentet e palëve të interesit. “AKEP dëshiron të sigurojë publikun, median dhe në veçanti të gjitha palët e interesuara se vendimmarja e Këshillit Drejtues të AKEP, nuk mund të shantazhohet, por do të jetë gjithmonë në përputhje me parimin e ligjshmërisë dhe në funksion të nxitjes se investimeve, promovimit te konkurrencës së lirë dhe kurdohere ne mbrojtje te interesave te përdoruesve të shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe postare”, thuhet në njoftimin zyrtar të AKEP.

Keshilli Drejtues i AKEP ka diskutuar të premten lidhur me Analizen e Tregjeve celulare dhe masat rregullatore përkatëse, por nuk mori vendim, ashtu siç pritej. AKEP njoftoi se do të rimblidhet javës që vjen për ta vazhduar këtë diskutim në një kontekst gjithnjë e më të plotësuar.

Pra gjithçka është shtyrë për një datë të mëvonshme kur AKEP do të bëjë vendimmarrjen e tij. Publikimi në media i referohej një dokumenti në format të vendimmarrjes së zakonshme të AKEP, gati finale por të pashpallur e pavulosur, por fakti i komunikimit të shtyrjes së vendimmarrjes për një javë (praktikë pak e zakontë për AKEP deri më sot) le të kuptohet se “nën rrogoz” vlon lobimi e ndërhyrja. Me sa duket qenka e thënë që ky treg të mos gjejë qetësi as tani pas daljes së operatorit të IV nga tregu, pasi lufta 3 kundër 1, thjesht është shndërruar në një luftë 2 kundër 1 dhe me ndryshimin se tashmë kjo betejë do të luhet mes përfaqësuesve e “ambasadorëve” të këtyre operatoreve dhe ndikimit të tyre në “Olimpin” e vendimmarrjes.