Maqedonia e Veriut, KShZ: Zyrtarizohen kandidaturat presidenciale

Për kryetarë shteti do të garojnë Blerim Reka, Gordana Siljanovska dhe Stevo Pendarovski.

Tre kandidatë do të garojnë për kryetar shteti në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 21 prill: Stevo Pendarovski i mbështetur nga partitë në pushtet LSDM dhe BDI, Gordana Siljanovska e kandiduar nga VMRO-DPMNE dhe Blerim Reka i mbështetur nga opozita shqiptare.

Ata zgjodhën që kandidaturat e tyre t’i zyrtarizojnë në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KShZ) me nënshkrimet e mbi 10 mijë qytetarëve dhe jo më mbështetje nga 30 deputetë.

“Sot, në emër të 32 mijë qytetarëve, në KShZ dorëzuam kandidaturën e Stevo Pendarovskit për kryetar të të gjithë qytetarëve. Jemi krenar që vetëm për një ditë, një numër shumë i madh i qytetarëve, me nënshkrim e përkrahën këtë kandidaturë. Pa dyshim, kjo kandidaturë e Stevo Pendarovskit është zgjedhja e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”, – theksoi sekretari i përgjithshëm i LSDM-së dhe shef i Shtabit Zgjedhor, Aleksandar Kiracovski, shkruan TRT.

“VMRO-DPMNE e dorëzoi kandidaturën e presidentit të ri të Republikës së Maqedonisë dhe ajo është profesoresha, Gordana Siljanovska Davkova. Sot është një ditë e mirë, pasi kemi një kandidat të shkëlqyer, të cilin do ta përkrahin shumica e qytetarëve dhe do të bashkohemi drejt një fitoreje të madhe për Republikën e Maqedonisë”, – u shpreh nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Vllado Misajllovski.

Të dyja palët janë zotuar se do të zhvillojnë fushatë korrekte dhe demokratike. Fushatën do ta realizojnë me takime të drejtpërdrejta me qytetarë, tubime dhe debate televizive por edhe fushatë në rrjetet sociale.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi me short radhitjen e kandidatëve në fletëvotim.

Blerim Reka do të jetë i pari në listë, pason Gordana Siljanovska dhe i treti në listë do të jetë Stevo Pendarovski.

“Ne si KShZ, që nga shpallja e zgjedhjeve më 8 shkurt, kemi bërë çmos që në planin organizativ këto zgjedhje të rrjedhin sa më mirë. Do të vazhdojmë me organizimin deri në ditën e zgjedhjeve dhe sërish bëjmë thirrje deri te pjesëmarrësit në fushatë që këto zgjedhje të kalojnë në atmosferë korrekte dhe të jenë një garë e vërtetë politike dhe prezantim idesh të kandidatëve, pasi vetëm kështu do të kemi zgjedhje të pastra që do të nënkuptojnë avancim të demokracisë sonë”, – deklaroi kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Oliver Derkoski.

Kreu i KShZ-së i ka ftuar kandidatët për president që të respektojnë Kodin Zgjedhor dhe të mos e fillojnë fushatën para 1 prillit, kur edhe fillon zyrtarisht fushata zgjedhore.