Tre infermiere dhe një sanitare akuzohen për ‘skemë kriminale’ në spitalin COVID-2

Tre infermieret dhe sanitarja u arrestuan të hënën, ndërsa Prokuroria kërkoi në gjykatë vlerësimin e arrestimit të tyre si të ligjshëm.

Prokuroria e Tiranës e ka cilësuar “skemë të mirëfilltë kriminale” zbulimin se tre infermiere dhe dy sanitare në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë merrnin bakshishe nga pacientë me Covid 19 apo të afërm të tyre, sipas një hetimi të nisur pas arrestimit të sanitares Tire Alldervishi.

Kërkesa për masë sigurimi ‘arrest me burg’ për tre infermieret, Mira Bushi, Sidorela Çela, Sheqerije Koçi dhe sanitaren Rukije Hoxha bazohet kryesisht në mesazhet që ato kishin shkëmbyer me Alldervishin.  Prokuroria e Tiranës i akuzon ato për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe mashtrimit.

Sanitarja e spitalit COVID-2, Tire Alldervishi u arrestua në janar të këtij viti, pas denoncimit të vajzës së një pacienteje në emisionin “Stop” në TV Klan. Denoncimi u krye pasi pacientja ndërroi jetë, ndërsa vajza e së ndjerës pretendoi se kishte paguar 800 mijë lekë ryshfet.

Tre infermieret dhe sanitarja u arrestuan të hënën, ndërsa Prokuroria kërkoi në gjykatë vlerësimin e arrestimit të tyre si të ligjshëm.

Në kërkesën për masë sigurie përmenden 4 episode, që sipas prokurorit Bledar Valikaj ngrenë dyshime për kryerjen e veprave penale nga katër të dyshuarat.

“Këta persona në bashkëpunim me njëra-tjetrën, në këtë situatë pandemie, në vend të solidaritetit dhe mbi të gjitha përkushtimit për detyrën që duhej të demonstronin, e trajtonin detyrën si një privilegj nga i cili duhej të përfitonin çdo ditë dhe gjithnjë e më tepër,” thuhet në kërkesën për masë sigurie.

Pjesa kryesore e kërkesës për masë sigurie bazohet në mesazhet që infermieret kanë shkëmbyer me Alldervishin, në të cilat në disa raste sipas prokurorisë lihet të kuptohet që ato kishin marrë bakshish për të kryer shërbime.

Prokuroria përmend po ashtu dëshminë e një pacienti dhe një të afërmi që pranojnë se kanë dhënë bakshishe për infermieret, edhe pse nuk përmenden rrethanat kur kjo ka ndodhur. Në episode po ashtu nuk përmendet, nëse infermieret apo sanitarja Rukije Hoxha, e cila del vetëm tërthorazi në biseda, kërkonin shpërblim për shërbimet apo kishin pranuar bakshishe nga të afërmit e pacientëve. Prokuroria thotë se po vijon hetimet edhe për persona të tjerë të përfshirë.

Në kërkesë, Prokuroria pretendon rrezikshmëri të lartë të tre infermiereve dhe sanitares dhe arsyeton se e vetmja masë e duhur sigurie ishte ajo e “arrestit me burg”. /reporter