Tragjedia në Xhenova: Prindërit e Admirit me pushime në Shkoder, nisen urgjent drejt Italisë

I mbajtën shpresat deri në fund, edhe pse nga mediat tragjedia e Xhenovas përcillej hap pas hapi, duke treguar për rritje të numrit të viktimave.

I mbajtën shpresat deri në fund, edhe pse nga mediat tragjedia e Xhenovas përcillej hap pas hapi, duke treguar për rritje të numrit të viktimave.

Pak pas mesnatës së të martës (14 gusht) një telefonatë ka shuar çdo gjë, pasi i njoftoi se mes rrënojave ishte gjetur edhe trupi i pajetë i djalit të tyre 32 vjeçar Admir Bokrina, nga fshati Oblikë i njësisë administrative Ana e Malit në Shkodër.

Nëna dhe babai që kishin ardhur prej 2 javësh me pushime në vendlindje, mësuan kështu lajmin e kobshëm, ndërsa më herët që prej shëmbjes së urës vazhdimisht kishin tentuar të komunikonin në telefon me të, por asnjë sinjal nuk vinte nga qyteti ku prej 20 vitesh jetonin e punonin familjarisht.

Mëngjesin e së mërkurës ata morën avionin për të udhëtuar drejt Italisë, për të parë për herë të fundit djalin e tyre të madh.

Ndërkohë familjarët në fshatin Oblikë hapën dyert e mortit për të pritur ngushëllime. Xhaxhai i viktimës dhe djali i hallës tregojnë momentin e hidhur të mësimit të lajmit të zi.

Admiri kishte 3 vite që ishte martuar me Selmën dhe një ditë përpara tragjedisë kishin festuar këtë përvjetor.

Ai sëbashku me bashkëshorten, vëllain më të vogël dhe nënën punonin në një hotel në Xhenova, ku 32 vjeçari ishte shofer i furgonit, ndërsa familjarët mbanin mjediset e brendshme të këtij hoteli.

Ditën e tragjedisë ai sëbashku me shokun e tij po shkonin për në punë, kur ura Morandi u shemb, duke i marrë jetën dy të rinjve shqiptarë. Ndryshe nga telefoni i Admirit, ai i Marjus Djerrit sipas dëshmive të familjareve të shkodranit, edhe 2 orë pas tragjedisë ka qënë i ndezur dhe zilja binte, por asnjë përgjigje nuk vinte nga përtej adriatikut. Trupi i pajetë i 32 vjeçarit nga Shkodra është tërhequr nga morgu i spitalit të Xhenovas prej familjarëve dhe pritet të sillet në atdhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit.

Ambasada  italiane konfirmoi lajmin e humbjes së jetës së dy shqiptarëve dhe shtoi se ishte në dispozicion të të afërmve për të gjithë asistencën e nevojshme.

Admiri kishte 20 vjet që jetonte në Itali.