Tite rinovon me Brazilin

"Përvoja e periudhës së parë ka vendosur një raport të mirëbesimit në mes nesh, çka do të reflektojë në hapin tonë të dytë të përbashkët", tha Tite

Federata Braziliane e Futbollit vazhdon t’i besojë trajnerit Tite, pavarësisht eliminimit të Brazilit që në fazën çerekfinale të Botërorit “Rusi 2018” nga Belgjika.

57-vjeçarit i është rinovuar kontrata deri në vitin 2022, pra do të jetë në krye të “Seleçaos” edhe gjatë Kupës së Botës së radhës, që do të zhvillohet në Katar.

Tite e mori drejtimin e Brazilit në vitin 2016, duke pasuar në këtë detyrë Carlos Dungën, pas zhgënjimit në “Copa America Centenario”.

“Përvoja e periudhës së parë ka vendosur një raport të mirëbesimit në mes nesh, çka do të reflektojë në hapin tonë të dytë të përbashkët. Për mua kjo është një sfidë e madhe dhe jam i lumtur se kam shansin të fokusohem në ndeshjet dhe garat e ardhshme”, ka thënë trajneri 57-vjeçar.

Tite para se të marrë kombëtaren ka drejtuar kryesisht klubet braziliane, ndërsa më vonë ishte në stolin e skuadrave Al Ain dhe Al Wahd të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ai suksesin e tij më të madh e ka arritur me Gremio, Internacional dhe Corinthians. Me tre klubet e sipërpërmendura dy herë u bë kampion i Brazilit dhe nga një herë ka fituar Copa Libertadores dhe Kampionatin Botëror të Klubeve të FIFA-s.

Ai u vlerësua për ekuilibrat që ktheu në skuadër, duke e shndërruar Brazilin në një ekip shumë të fortë për t’u mundur.

Humbja 2-1 me Belgjikën në Botëror, përtej zhgënjimit te tifozët, nuk e ka zbehur vlerësimin për punën e tij, për këtë arsye drejtuesit e federatës i kanë zgjatur kontratën.