Tiranë, shfaqet dokumentari mbi organizatën terroriste FETO

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, duke folur për FETO-n u shpreh se "Në shtetet ku janë arrijnë të depërtojnë në institucionet dhe në strukturat fetare. Në këtë kontekst ato kanë arritur të depërtojnë dhe në Shqipëri."

Nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Tiranë është shfaqur dokumentari “The Network”, i cili bën fjalë për fytyrën e vërtetë të organizatës terroriste FETO, përgatitur nga TRT World në kuadër të projektit të Zyrës së Komunikimeve të Presidencës së Turqisë dhe realizuar nga gazetari britanik Andrew Wilson, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë shfaqjes së dokumentarit në gjuhën angleze dhe me titra në gjuhën shqipe në ambientet e Institutit “Yunus Emre” në Tiranë ishin të pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, drejtori i Institutit “Yunus Emre” Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, studentë, si dhe qytetarë.

Ambasadori Yörük gjatë fjalës së tij përshëndetëse, duke folur për tentativën për grusht shteti organizuar në Turqi nga FETO dhe për udhëheqësin e saj Fetullah Gülen tha se “me tanke dhe me armatime të rënda është kërcënuar populli civil, ai popull që ishte me duar bosh, por me shpirt plot besim”.

Tiranë, shfaqet dokumentari mbi organizatën terroriste FETO

Ai tha se organizata terroriste FETO ka aktivitetet e saj në 160 shtete përfshirë dhe Shqipërinë.

“Kjo organizatë nuk është nga ato organizatat klasike që dimë ne. Kjo është më shumë si organizatë e fshehtë që ushtron aktivitetet e saj në fshehtësi maksimale dhe që ka fuqi të ndërhyjë në të gjitha institucionet private dhe në ato shtetërore. Në publik prezantohen sikur bëjnë aktivitete në fushën e arsimit dhe të bamirësisë nëpërmjet rrugës ligjore. Për këto qëllime arrijnë të depërtojnë në arsim, shëndetësi, media dhe në tregti”, tha ambasadori turk.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, duke folur për FETO-n më tej u shpreh se “Në shtetet ku janë arrijnë të depërtojnë në institucionet dhe në strukturat fetare. Në këtë kontekst ato kanë arritur të depërtojnë dhe në Shqipëri. Ata synojnë të depërtojnë dhe të marrin në dore të gjithë institucionet, strukturat shtetërore dhe private. Prandaj ata synojnë të krijojnë një rrjet në të gjithë boten”.

Duke iu drejtuar të pranishmëve ambasadori turk theksoi se “Duhet t’i jepni Turqisë një mbështetje konkrete dhe të qëndrueshme”.

Dokumentari tregon sesi organizata terroriste FETO, që drejtohet nga Fetullah Gülen përdor rrugët e pandershme dhe ato joligjore për të arritur qëllimet e saj.

Turqia më 15 korrik shënon përvjetorin e tretë të tentativës për grusht shteti organizuar nga organizata terroriste FETO, gjatë së cilës u martirizuan 251 persona dhe rreth 2.200 të tjerë u plagosën.