Në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, është hapur edicioni i parë i panairit të shërbimeve të kujdesit shëndetësor, ku përveç prezantimit të risive në sektorin e shëndetësisë do të organizohen edhe aktivitete të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).
I organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, në panairin “CCIT Expo Medical”, kompanitë dhe institucionet shëndetësore vendase dhe të huaja do të prezantojnë për disa ditë me radhë risitë e tyre në fushën e medikamenteve dhe pajisjeve shëndetësore.
Gjithashtu do të promovohen edhe shërbimet e kujdesit shëndetësor, ndërsa një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet dhe personelit shkencor të cilët do të jenë prezent gjatë ditëve të organizimit të aktiviteteve në kuadër të panairit.
Sipas organizatorëve, me këtë panair synohet edhe ndërgjegjësimi dhe rritja e cilësisë së kujdesit shëndetësor, me fokus pacientin, si dhe për të mbështetur përmirësimin e rezultatet rreth shëndetit.
Ndërkohë gjatë ditëve të panairit do të organizohen disa aktivitete dhe konferenca, si konferenca nga Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë dhe Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, si dhe nga Urdhri i Mjekeve dhe Urdhri i Infermierit të Shqipërisë.
Gjithashtu për vizitorët do të ofrohen dhe vizita dhe konsulte me mjekë falas, në stendat e panairit.
Panairi që organizohet në Pallatin e Kongreseve në datat 25-27 tetor do të vizitohet edhe nga drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe nga përfaqësues të institucioneve të tjera.