Fenomeni i ekstremizmit të dhunshëm mbetet i pranishëm dhe përbën ende një kërcënim të mundshëm për Shqipërinë, pavarësisht progresit të arritur në zbatimin e strategjisë kundër këtij fenomeni, thuhet në studimin e prezantuar gjatë konferencës “Ekstremizmi i dhunshëm në Shqipëri”, raporton Anadolu Agecy (AA).
Konferenca e organizuar me mbështetjen e Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm të Shqipërisë dhe organizatave të shoqërisë civile që kanë në fokus çështjet e luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm, mblodhi së bashku zyrtarë të lartë dhe ekspertë, për të diskutuar për ekstremizmin e dhunshëm.
Duke folur në aktivitet, zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Senida Mesi, tha se me këtë sfidë qeveria nuk mund ta përballet e vetme.
“Unë besoj se kjo është një sfidë që i përket shoqërisë shqiptare, na përket të gjithëve ne dhe jo pa qëllim jemi gjithë të mbledhur këtu për të diskutuar dhe adresuar një problematikë të tillë. Është e qartë se ekstremizmi i dhunshëm është fenomen shumë kompleks. Ne duhet të pranojmë se duke qenë se nuk ka një shpjegim të thjeshtë për këtë fenomen, rrjedhimisht dhe adresimi i tilla çështjeve do të kërkojë që të merren parasysh një sërë faktorësh, të lidhur ngushtë më njëri-tjetrin. Duhet të dalim me konkluzione konkrete se si të parandalojmë ekstremizmin e dhunshëm”, tha Mesi.
Mesi theksoi se fuqizimi dhe modernizmi i institucioneve të sigurisë dhe zbatimit të ligjit kanë një rëndësi thelbësore në Shqipëri, ashtu sikur është e nevojshme, sipas saj, bashkërendimi i përpjekjeve dhe ndërlidhja e strategjive në këtë drejtim.
E pranishme në konferencë ishte edhe ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Lindita Nikolla, e cila tha se shkolla mbetet institucioni me i rëndësishëm i formimit të qytetarëve të suksesshëm.
Qëllimi i konferencës dhe studimit ishte informimi i proceseve politikëbërëse, masave institucionale të aktorëve shtetërorë, si edhe veprimeve të aktorëve joshtetërorë në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në vend, bazuar në strategjinë kombëtare kundër ekstremizmit të dhunshëm. Nga studimi, sugjerohet se Shqipëria duhet të vazhdojë të punojë në drejtim të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm.
Gjithashtu u theksua se Shqipëria ka forcuar kuadrin ligjor me mekanizma kufizues dhe ka përmirësuar kapacitetet e autoriteteve qendrore dhe aktorëve të tjerë joshtetërorë për t’iu përgjigjur ekstremizmit.
Qeveria e Shqipërisë në nëntor të vitit 2015 ka miratuar një strategji për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.