Në Tiranë është mbajtur konferenca ndërkombëtare me temë “Agjencitë e lajmeve vs Fake News”, duke mbledhur përfaqësues të agjencive zyrtare të lajmeve nga rajoni, por dhe vende të tjera të botës, ku në fokus të saj ishin diskutimet për sfidat e agjencive të lajmeve përballë fenomenit të lajmeve të rreme, raporton Anadolu Agency (AA).
Konferenca njëditore organizohet nga Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATA), ndërsa AA në këtë konferencë përfaqësohet nga Ogün Duru, editor i agjencisë për lajmet e jashtme.
Duru në fjalën e tij në konferencë tha se lajmet e rreme nuk janë një problem i ri në sekotrin mediatik, por tha se është problem që vazhdon të rritet, duke shtuar se lajmet e rreme mund të përdoren edhe nga shtetet si mjet i komplotit politik kundër njëri-tjetrit.
“Edhe pse qasja në informata duket të jetë më e lehtë në të gjitha aspektet, shoqëritë përballen me një sfidë paradoksale. Grumbujt e informacioneve, lajmeve dhe të ashtuquajturave lajme, ushqejnë masat në të njëjtën kohë me përmbajtje të drejtë, të gabuar dhe ndonjëherë të rreme. Lexuesit nuk kanë kohë dhe energji për t’i verifikuar lajmet. Shpejtësia digjitale ka ndikuar në gjithçka”, tha Duru.
Duru po ashtu nënvizoi se nevoja ndaj agjencive ka shënuar rritje për sa i përket arritjes në lajme të vërteta, ndonëse mund të duket se lajmet e rrjeteve sociale, vala e medias digjitale dhe gazetaria qytetare ka minuar rolin e agjencive.
“Nuk besoj se rendi i medias së shumëllojshme ose burimet alternative, siç janë media sociale dhe digjitale, kërcënojnë rolin tonë. Përkundrazi, ne i konsiderojmë këto rrethana si mundësi për të rritur forcën tonë konkurruese”, shtoi Duru.
Ai theksoi se si agjenci të lajmeve, janë të detyruar t’i shpjegojnë më mirë vlerën dhe rëndësinë e lajmeve të verifikuara.
“Kur agjencitë publikojnë një lajm, është sikur kur gjuhet shigjeta nga harku. Nëse bëni gabim, është e pamundur ta kompensoni dëmin, edhe po të doni ta tërhiqni atë mbrapa”, u shpreh Duru.
Sipas Duru, lajmet që vijnë nga rajonet e konflikteve janë vende prej ku prodhohet numri më i madh i lajmeve të rreme. Ai tha se shumë përdorues të mediave sociale dhe digjitale publikojnë përmbajtje të cilat mbajnë anë në konflikt.
“Ne besojmë se agjencitë, që ofrojnë lajme të sakta, përfshirëse dhe autentike, do të vazhdojnë të jenë anija kryesore e sektorit të medias në mbarë botën”, theksoi Duru.
Ndërsa drejtoresha e Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATA), Armela Krasniqi, në hapje të konferencës tha se fenomeni i lajmeve të rreme, si një fenomen global, ka nevojë për një përgjigje globale.
“Besoj se bashkëpunimi është e vetmja mënyrë me anë të së cilës ne mund ta kapërcejmë këtë kërcënim nga ‘fake news’. Armiqtë tanë janë të zgjuar, nuk na vënë në shënjestër veç e veç dhe shfrytëzojnë në mënyrë të përsosur lajme të rreme për arsye politike apo ekonomike, apo edhe më keq, vetëm për kënaqësinë e minimit të shoqërive tona dhe përhapjen e frikës”, tha Krasniqi.
Ajo theksoi se ky takim në Tiranë do të shërbejë për të forcuar bashkëpunimin mes agjencive zyrtare të lajmeve.
“Ne kemi nënshkruar disa marrëveshje shumë të rëndësishme dhe kemi marrë pjesë në disa ngjarje të shënuara ndërkombëtare”, tha ndër të tjera ajo.
Në këtë konferencë ndërkombëtare fjalime mbajtën po ashtu edhe drejtori i Përgjithshëm i agjencisë ukrainase, UKRINFORM, Olexander Kharcenko, si dhe drejtori i Përgjithshëm i agjencisë greke të lajmeve ANA/MPA, Michalis Psilos.