Tiranë, konferencë mbi financat e qeverisjes vendore

Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë i Shqipërisë, Erjon Luçi, tha se ky është raportimi i parë formal për qeverinë vendore dhe është një shembull edhe për qeverinë qendrore

Ministria e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë organizoi sot konferencën kombëtare me temë “Forcimi i dialogut mbi financat e qeverisjes vendore: Sfidat, mundësitë, transparenca dhe përgjegjshmëria”, ku merrnin pjesë zyrtarë të institucioneve të ndryshme qendrore dhe lokale, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij në nisje të punimeve të konferencës, zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë i Shqipërisë, Erjon Luçi, tha se ky është raportimi i parë formal për qeverinë vendore dhe është një shembull edhe për qeverinë qendrore.

“Ky është një shembull i mirë që raportimi duhet të ndodh në kohë. Si raport i parë ky ka synuar trendët sa i përket viteve të kaluara dhe synimi kryesor është për të parë pjesën cilësore të këtyre prirjeve. Si raporti i parë është një mundësi e mirë për transparencën e mënyrës se si financat publike dhe vendore duhet të raportohen”, u shpreh Luçi.

Sipas tij vitet e kaluara kanë qenë mjaft dinamike sa i përket qeverisjes vendore. “Janë dyfishuar dhënia e shërbimeve ndaj qytetarëve. Baza mbi të cilën ne punojmë është më e gjerë se sa ajo që diskutonim vitet e kaluara. Gjenerata e dytë e qeverisjes vendore ka ndodhur tani, sfida është se si ta bëjmë këtë të funksionojë sa më mirë”, shtoi Luçi.

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në fjalën e tij u shpreh se reforma administrativo-territoriale ka qenë e suksesshme. “Flas këtu si drejtues i një bashkie model. Vitin e fundit Bashkia e Tiranës e tejkaloi mbledhjen e të ardhurave në 104 për qind. Ku ka vullnet ka mundësi pa i rritur taksat, ose duke aplikuar një taksim progresiv”, tha Veliaj.

Duke folur për efektivitetin e bashkive pas reformës administrativo-territoriale, Veliaj tha se shumica e bashkive janë në parametra shumë të pranueshëm sa i përket uljes së shpenzimeve operative dhe shtimit të investimeve për mirëmbajtje ose investime të reja.

Të pranishëm në konferencë ishin kryetar të bashkive nga qytete të ndryshme të vendit, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe ekspertë të financave.