Tiranë, fillon Kongresi i Mjekësisë Ushtarake Ballkanike

Pjesë e këtij kongresi disaditor është edhe Turqia, me delegacionin që kryesohet nga gjeneral brigade kardiokirurgu Prof. Dr. Ufuk Demirkılıç, komandant i Departamentit të Shëndetësisë në Ushtrinë Turke

Në Shqipëri po mbahet për herë të parë Kongresi i 24-t i Mjekësisë Ushtarake Ballkanike, i cili ka në fokus bashkëpunimin në fushën e mjekësisë ushtarake midis vendeve të rajonit, raporton Anadolu Agency (AA).

Pjesë e këtij kongresi disaditor është edhe Turqia, me delegacionin që kryesohet nga gjeneral brigade kardiokirurgu Prof. Dr. Ufuk Demirkılıç, komandant i Departamentit të Shëndetësisë në Ushtrinë Turke.

Në ceremoninë e hapjes, ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, tha se ky kongres është një forum i rëndësishëm, i cili nuk krijon vetëm lidhje institucionale dhe ushtarake, por krijon edhe lidhje njerëzore mes popujve dhe vendeve.

“Jam e sigurt se gjatë diskutimeve të kongresit jo vetëm që do të trajtohen me kompetencë të lartë shkencore tema të karakterit profesional me të cilat ju ndesheni përditë në punën tuaj, por do të keni një mundësi reale edhe për të shkëmbyer njohuri e për të ndarë me njëri-tjetrin eksperienca e praktika të rëndësishme që do të ndihmojnë gjithsecilin nga ju në punën tuaj të përditshme”, tha Xhaçka duke iu drejtuar pjesëmarrësve.

Sipas Xhaçkës, ky forum është një mundësi e mirë për ndërtimin dhe forcimin e urave të bashkëpunimit të ndërsjellë midis vendeve të rajonit dhe midis institucioneve mjekësore ushtarake.

“Bashkëpunimi në fushën e mjekësisë midis vendeve të rajonit tonë është një kërkesë e domosdoshme për të çuar përpara zhvillimin e shkencës ushtarake mjekësore, por edhe një element që forcon lidhjet midis vendeve tona. Gjej rastin të përgëzoj dhe falënderoj dy prej aleatëve dhe miqve të vendit tonë, Turqinë dhe Greqinë, për ndihmën e pakursyer dhe tepër bujare në bashkëpunimin në fushën e mjekësisë”, u shpreh Xhaçka.

Prof. Dr. Ufuk Demirkılıç, kryesues i delegacionit turk, në fjalën e tij tha se beson se kongresi do të rrisë bashkëpunimin midis shtabeve mjekësore ushtarake të vendeve të rajonit dhe do të ndërtojë një shembull të mirë për shumë fusha të tjera.

“Jam shumë i kënaqur të marr pjesë në Kongresin e 24-t të Mjekësisë Ushtarake në Ballkan, i cili organizohet për herë të parë nga Forcat e Armatosura Shqiptare dhe ju uroj me respekt personalisht dhe në emër të forcave të armatosura turke”, tha ai.

“Jam i sigurt se ky kongres do të jetë shumë i suksesshëm dhe ne dëshirojmë të arrijmë objektiva si ato të mëparshme”, theksoi Demirkılıç.

Në Kongresin e 24-t të Mjekësisë Ushtarake Ballkanike, i cili do të mbahet në Shqipëri deri më 5 maj, marrin pjesë rreth 200 përfaqësues nga vende të ndryshme si Shqipëria, Turqia, Greqia, Serbia, Maqedonia e Veriut, Italia, Ukraina, Rumania dhe vende të tjera.