TIKA ofron ndihma për familjet në nevojë në Shqipëri

Ambasadori turk se në këtë muaj duhet të mbizotërojë solidariteti, vëllazëria dhe bashkimi i të gjithëve

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka shpërndarë në Shqipëri ndihma në pako ushqimore për familjet në nevojë, me rastin e muajit të Ramazanit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e shpërndarjes së ndihmave për fëmijët jetimë të Fondacionit Alternativa e së Ardhmes (ALSAR) në mjediset e Pallatit të Sportit “Farie Hoti” në Tiranë, ishte i pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Necip Özay Özütok, kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra dhe zyrtarë të tjerë.

Në fjalën e tij gjatë aktivitetit, ambasadori Yörük, uroi të gjithë besimtarët për muajin e Ramazanit si dhe u shpreh se Turqia gjithmonë është pranë njerëzve në nevojë.

“Në këtë muaj duhet të mbizotërojë solidariteti, vëllazëria dhe bashkimi i të gjithëve. Siç e dini TIKA është një nga fuqitë tona më të mëdha dhe gjithmonë ka realizuar dhe do të vazhdojë të realizojë projekte të rëndësishme ”, tha ambasadori turk.

“Para disa javësh ishim në një inaugurim, ku i dorëzuam ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu 5 autoambulanca, projekt i realizuar nga TIKA. Para disa ditësh sërish ishim në një inaugurim tjetër në Skrapar, ku TIKA me ndihmën e saj mundësoi projektin e rikonstruksionit dhe mobilimit të konviktit të nxënësve”, deklaroi ambasadori Yörük.

Ndërsa nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, tha se është një moment shumë i bukur i këtij muaji kur të gjithë së bashku mundohen të ndihmojmë dhe solidarizohen me familjet në nevojë.

“Është shumë e bukur kur shikon, duke filluar nga Ambasada turke në Shqipëri që japin kontributin e tyre, jo vetëm gjatë këtij muaji, por gjatë gjithë vitit, duke qëndruar pranë familjeve në nevojë, por edhe në shumë sektorë të tjerë të bashkëpunimit. Falënderoj TIKA-n, e cila është një pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit që Bashkia e Tiranës ka me institucionet turke”, theksoi Seferi.

Kryetari i Fondacionit Alternativa e së Ardhmes (ALSAR), Mehdi Gurra, në fjalën e tij falënderoi TIKA-n, e cila sipas tij ka ndihmuar gjithmonë fëmijët jetimë të Shqipërisë.

“Çdo vit për të gjithë fëmijët jetimë kemi ofruar ndihmë gjatë muajit të Ramazanit, por jo vetëm pasi kemi ndihmuar edhe familje të tjera në nevojë të Shqipërisë. Këtë vit me ndihmën e TIKA-s do të ndihmohen 3500 familje në të gjithë Shqipërinë. Fondacioni në bashkëpunim me organizata të tjera të vendeve partnere si Turqia, do të ndihmojnë rreth 8000 familje me bazë ushqimore gjatë muajit të Ramazanit”, u shpreh Gurra.

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka ofruar gjithsej 3500 pako me ushqime për familjet në nevojë në Shqipëri me produktet si miell, sheqer, oriz, vaj, makarona, kripë, etj, ndërsa në aktivitetin e sotëm janë shpërndarë rreth 1000 pako.

Institucione dhe organizata nga Turqia çdo vit shpërndajnë ndihma për familjet në nevojë gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, në qytete të ndryshme të Shqipërisë.