Thaçi-Osmani: Marrëveshja mes Greqisë dhe Maqedonisë krijon klimë të mirë rajonale

“Kjo marrëveshje krijon klimë të mirë rajonale dhe hapë perspektivë euroatlantike për shtetet e Ballkanit”, ka thënë presidenti Thaçi

 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur në takim Zëvendëskryeministrin e Maqedonisë, Bujar Osmani, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjatë takimit i cili ishte i mbyllur për media, presidenti kosovar Thaçi lidhur me arritjen e Marrëveshjes midis Greqisë dhe Maqedonisë për emrin e ri të shtetit fqinj, ka thënë se “Çdo lajm i mirë nga Maqedonia është lajm i mirë edhe për Kosovën”, thuhet në një njoftim nga Presidenca e Kosovës.

“Kjo marrëveshje krijon klimë të mirë rajonale dhe hapë perspektivë euroatlantike për shtetet e Ballkanit”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në njoftim theksohet se Thaçi dhe zv/kryeministri Osmani kanë biseduar edhe për zhvillimet aktuale në Maqedoni, ku forcat politike shqiptare po luajnë rol pozitiv rreth avancimit të të drejtave politike dhe sociale.

“Marrëveshja midis Greqisë dhe Maqedonisë konsiderohet më e rëndësishmja pas asaj të Ohrit”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se zv/kryeministri i Maqedonisë, Osmani i cili po qëndron për vizitë në Kosovë është takuar edhe me homologun e tij kosovar, Enver Hoxhaj.