Tetë kompani në garë për tenderin e Unazës së Re

Tetë kompani janë në garë për të ndërtuar lotin e parë të Unazës së Re, përfshirë dhe rrethrrotullimin tek Sheshi Shqiponja.

Tenderi për këtë aks rrugor u rihap pas skandalit me kompaninë guackë, DH Albania.

Tenderi u rihap në maj 2019 dhe afati i fundit për dorëzimin e ofertave ishte qershori. Loti i parë përfshin aksin nga Pallati me Shigjeta tek  rrethrrotullimi i Doganës, rreth 2,2 kilometra e gjatë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar, institucioni që ka zhvilluar tenderin, po bën aktualisht vlerësimin e tetë ofertave. Sipas portalit APC.al, mes kompanive ofertuese janë dhe kompania Gener 2, Gjoka shpk, Salillari shpk dhe AlbBuilding. Kjo e fundit është kompania që ka bërë ofertën më të ulët me 14 milionë dollarë, ndërsa oferta më e lartë është rreth 18 milionë dollarë, ose sa fondi limit i vënë nga ARRSH.

Ky është tenderi i tretë që ARRSH zhvillon për lotin e parë të Unazës së Re.

Tenderi i parë u zhvillua në nëntor 2018 dhe fituese u shpall kompania DH Albania, e cila u zbulua se ishte kompani fantazëm. Oferta e saj ishte 18 milionë euro për ndërtimin e 2,2 kilometrave rrugë, bashkë me veprat brenda saj.

Ky tender u anulua më 7 dhjetor 2018 nga ARRSH, një ditë pas bërjes publike se kompania amerikane, DH Albania kishte falsifikuar dokumentet.

Më 13 dhjetor, 6 ditë pas zgjidhjes së kontratës mes ARRSH dhe DH Albania – dhe teksa prokuroria sapo kishte nisur hetimet për falsifikimin e dokumenteve, ARRSH rihapi tenderin më të njëjtin fond prej 18 milionë eurosh. Por  në janar 2019, Drejtoresha e re e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato njoftoi se është anuluar për herë të dytë tenderi për lotin e parë të Unazës së Madhe.

Sipas Qatos, asnjë nga kompanitë pjesëmarrëse nuk plotësonte kriteret.

Ndërtimi i Unazës së Re parashikon prishjen e rreth 300 ndërtesave dhe bizneseve në zonën e Astirit, që preken nga gjurma e rrugës. Që prej nëntorit 2018, qindra banorë të kësaj zone protesojnë çdo mbasdite kundër këtij projekti.