Terrori është i destinuar të dështojë

Nga Redi Shehu

U deshën të kalonin pothuaj gjashtë vite që Turqia të tronditej përsëri nga një sulm terrorist me bombë në një ndër rrugët më të populluara të Stambollit. Ashtu siç edhe të gjitha mediat e globit e transmetuan, akti u krye nga një grua që vinte nga Siria e trajnuar në kampet e Partisë Komuniste Kurde e cila vepronte në zonën e veriut të Sirisë. Pamjet nga atentati ishin të tmerrshme, ashtu siç janë pamjet e çdo akti terrori i cili ndërton frikë në mendjet dhe zemrat e njërëzve në mënyrë që t’i përkulë ata, por njëkohësisht të mund të përkulë dhe gjunjëzojë elitat qeverisëse. Dëmet ishin jo të vogla, 6 të vdekur dhe 81 të plagosur. Terroristja, e cila mbante nje shami në kokë për t’u kamufluar,  kishte vendosur çantën e saj të shpinës në të cilën mbante bombën, poshtë ulëseve të rrugës Istiklal, një nga rrugët më të populluara në botë me mbi dy milionë turistë në ditë. Dëmi potencialisht mund të kishte qenë katastrofik duke parë vendin e përzgjedhur nga terroristët për të realizuar goditjen e tyre. Sipas ekspertëve terroristja  Ahlam Albashir pasi ka soditur për mbi 40 minuta rrugën dhe ambientet përreth, ka lënë çantën. Më pas, ajo është larguar me taksi drejt lagjes Esenler dhe pas gjysëm ore drejt vendbanimit të saj në  lagjen Kucukcekmece.

Falë efikasitetit të lartë të policisë dhe shërbimeve inteligjente turke, ajo u kap brënda 10 orëve, gjë që ka habitur të gjithë mediat e globit për këtë efektshmëri. Pas kontrollit të 1.200 kamerave biometrike të cilat survejonin të gjithë bulevardin Istiklal, u bë e mundur kapja e saj si dhe mbi 50 të arrestuarve të tjerë të lidhur me këtë akt. Sipas deklarateve të Ministrit të Brëndshëm Soylu, është bërë e mundur kapja e të gjithë rrjetit i cili po organizonte arratisjen e të kërkuarës për në Greqi. Jo vetëm kaq, por edhe është kapur personi i ngarkuar për vrasjen e Albashir menjëherë pas kryerjes së atentatit. Neutralizimi i shpejtë i një rrjeti kaq të madh dhe mirëorgnizuar, i cili kishte trajuar në kamapet e kurdëve të Sirisë në Kobani  Albashirin për të kryer këtë atentat, tregon se struktura e sigurisë turke janë padyshim të një niveli shumë të lartë.

Që nga  Marsi i vitit 2014 dhe deri në Janar 2017 janë kryer në Tuqi një seri aktesh terroriste  prej të cilave 14 nga ISIS dhe pothuaj 10 të tilla të kryera nga PKK. Ndër aktet terroriste më të përgjakshme të organizuara nga PKK është ai tetorit të vitit 2015 me dy shpërthime në Ankara ku u vranë 103 civilë. Në mars të 2016 po në rrugën Istiklal një kamikaz shpërtheu duke vrarë pesë civilë. Sulme të vazhdueshmë ka patur në provinca si Diarbakir dhe qytete kufitare me Sirinë të cilat në mënyrë të vazhdueshme kanë qenë në gjendje destabiliteti nga akte të tilla makabre.

Duhet thënë që një sage kaq e madhe dhe e përgjakshme kundra këtij vendi ka shkaktuar mbi 500 të vrarë dhe me mijëra të plagosur brënda vetëm kësaj periudhe. Ndërsa, konflikti mes PKK dhe forcave të sigurië turke zgjat mbi 35 vjet dhe ka prodhuar mbi 40 mijë viktima. Çështja kurde e cila tashmë  është bërë “çështje” në një fomrë sa artificiale, por edhe të keqvendosur, bie në kundërshtim me vetë historinë shekullore të Turqisë ku elementi kurd nuk ka paraqitur asnjëherë prolem të tipit nacional apo separatist, përkundrazi, si një shoqëri multikulturore dhe multietnike, Turqia osmane, por edhe më vonë , ka pasur në thelb të sajin integrimin e tipologjive të ndryshme të popullsive të saja në nivele të ndryshme sociale. Rasti i shqiptarëve nën perandorinë osmane, e ilustron akoma më mire këtë barazi në diversitet.

Problemi kurd, apo kur të qënurit kurd u shndërrua në “çështje”, zanafillon me një grup studentësh marksistë në vitin 1973, me në krye Abdullah Oçalan të cilët bazuar mbi një socializëm komunist përzier me nacionalizëm kurd, themeluan PKK-në e cila në rrënjë të ideologjisë së saj kishte luftën kundër qeverisë së Turqisë. Pas grushtit të shtetit të viteve ‘80, dhe sidomos në vitin 1984, kjo organizatë rriti në mënyrë të dhunshme aktivitetin e saj terrorist duke shkatuar destabiltitet të vendit, kjo në kundërshtim me jetën dhe punën e miliona kurdëve të cilët qenë integruar si mos më mire në jetën social ekonomike të Turqisë. Edhe pse pati një armëpushim në vitin 1993 dhe mes viteve 2013-2015, përsëri aktivitetit i kësaj organizate, e financuar në mënyrë të bollshme nga disa shtete të fuqishme, krijoi një situatë të nderë në realitetin turk.

Sot, PKK është e shpallur nga SH.BA dhe BE si organizatë terroriste. Si e tillë ajo, për t’i shpëtuar këtij etiketimi, themeloi në Siri degët e saja YPG dhe PYD të kamufluara me një tis politik nën emrin e Frontit Demokratik Sirian (SDF). Aktivitetin e saj terrorist, kjo organizatë e transferoi në Siri duke qenë e paafatë t’i bënte ballë inkursioneve të ushtrisë turke. Këtu, e financuar mirë nga SH.B.A dhe shtete të tjera aleate PYD/YPG, nën justifikimn e luftës ndaj ISIS, konsolidoi pozitat e veta duke u bërë edhe burimi kryesor i akteve të terrorit brënda territorit turk. Për këtë arsye, qeveria turke ndërmori tre operacione sigurie brënda territorit sirian në fashën e 30 kilometrave.  I pari në vitin 2016 i titulluar “Mburoja e Eufratit”, i dyti në vitin 2018 i quajtur “Dega e Ullirit”, dhe i treti në 2019 me emrin “Pranvera e Paqes”. Këto operacione ushtarke shkatërruan në rrënjë këtë organizatë si në Sirinë veriore po ashtu edhe në Irakun verior duke sjellë edhe një stabilitet për vite me radhë brënda Turqisë, kur bëhej fjalë në terma të sigurisë publike.

Akti terrorist i Albashir, bazuar në deklarata e saja të bëra në polici, ishte projektuar dhe organizuar në Kobani nga anëtarët e PKK-së kurde.  Shumë pyetje janë  ngritur lidhur me përsenë e kohës në të cilën akti u ndërmor. Po ashtu ka shumë përgjigje lidhur me këtë. Por më të besueshmet janë dy pista në të cilat mund të kanalizohet një akt i përmasave të tilla. E para,  mesazhi i dhënë është se pavarësisht dëmëve të pësuara, organizata terroriste PKK, vazhdon të jetë aktive aq sa mund të godasë në zemër të Stambollit. E dyta, është mundësia që kjo organizatë të jetë vënë në dispozicion të atyre forcave apo fuqive të cilat donin të godisnin reputacionin e Turqisë pas suksesit të saj në gjeopolitikën globale, sidomos lidhur me luftën në Ukrainë.  Po ashtu me afrimin e zgjedhjeve te 2023, mund të pritet një përshkallëzim i situatës, pikërisht nga ato forca të cilët nuk e pranojnë rolin e ri të Turqisë moderne. Ajo që ka mundësi të ndodhë është pikërisht kundërvënia e gjithe kësaj strategjie destruktive me projekte politiko –ekonomike dhe investime strategjike nga ana e establishmentit qeverisës të Turqisë, për të vërtetuar krejt të kundërtën, se ky vend do të mund të ecë përpara në rrugën e tij të zhvillimit, pavarësisht pengesave.