Tërmeti, sigurim i detyrueshëm i banesave në shtet, tarifa nga 15 në 25 euro në vit

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka përgatitur projektligjin për sigurimin e detyrueshëm nga tërmeti.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka përgatitur projektligjin për sigurimin e detyrueshëm nga tërmeti.

Informacionet e deritanishme thonë se tarifa e sigurimit do të jetë 25 euro në vit për ndërtimet me beton të armuar dhe 15 euro për ndërtimet e tjera.

Të vetmet banesa që nuk do të përfshihen në skemën e sigurimit të detyrueshëm janë shtëpitë e vjetra të ndërtuar me argjile dhe strukturë me fibër kallami, raporton EuroNews.

Nëse shtëpia e qytetarit dëmtohet nga tërmeti në të ardhmen, skema e zhdëmton atë deri në 25 mije euro bruto për shtëpinë me beton të armuar dhe deri në 15 mije euro për shtëpitë pa beton të armuar.

Qytetari paguan 2 për qind të shumës (pra 500 euro ose 300 euro), në momentin kur arkëton dëmshpërblimin e skemës.

Të dhëna të pakonfirmuara flasin për një stok banesash rreth 450 mijë në të gjithë vendin, ku rreth 200 mijë janë shtëpi me beton të armuar, 220 mijë ato pa beton të armuar, të shtrira sidomos në zonat rurale dhe rreth 30 mijë shtëpi të vjetra me qerpiç e fibra kallami. Në bazë të këtyre të dhënave, nëse skema do të përfshijë të gjitha shtëpitë që kualifikohen, shuma që do të mblidhet në vit është 8.3 milionë euro.

Sipas projektligjit, sigurimi i detyruar zbatohet vetëm për dëmtimet nga tërmeti dhe jo nga fatkeqësitë e tjera natyrore, si zjarri apo përmbytjet.

Sigurimi nga këto fatkeqësi mbetet vullnetar dhe qytetarët e realizojnë këtë shërbim nëpërmjet pagesës në tregun privat të shoqërive të sigurimit.

Projektligji parashikon ngritjen e Agjencisë Shtetërore për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmeti. Ngelet e paqartë se si kjo agjenci do të sigurojë vërtetimet nëse shtëpitë janë me beton arme apo jo dhe si do të vjelë tarifën e detyrueshme vjetore.