Tërmeti në Shqipëri, Prishtina dhe Shkupi ndajnë ndihmë financiare për sanimin e pasojave

Pas tërmetit të sotëm në Shqipëri, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për të ndarë një ndihmë prej 500 mijë euro, ndërkohë edhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim e rreth 100 mijë eurove

Pas tërmetit të sotëm në Shqipëri, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për të ndarë një ndihmë prej 500 mijë euro për dëmet ende të paparashikuara në zonat e prekura të vendit fqinj, ndërkohë edhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për ndarjen e 6 milionë denarëve (rreth 100 mijë euro), raporton Anadolu Agency (AA).

Vendimi është marrë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Qeverisë së Kosovës, të thirrur nga kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, me një pikë të rendit të ditës që kishte të bënte me tërmetin në Shqipëri.

Propozimin i cili u aprovua në mbledhjen e Qeverisë, e cila nisi me një minutë heshtje, e ka dhënë ministri i Financave, Bedri Hamza.

“Ministria e Financave i propozon Qeverisë së Kosovës që të ndahet fillimisht një shumë prej 500 mijë euro për Republikën e Shqipërisë për sanimin e dëmeve”, tha Hamza në mbledhje.

Haradinaj bëri të ditur se ka urdhëruar disa ndërmarrje publike si Koorporata Energjetike e Kosovës (KEK), Zjarrfikësit, e punëtorët e Trepçës që të nisen me makineritë e tyre për të ndihmuar në Shqipëri.

“Na është kërkuar prej institucioneve të Shqipërisë makineri e rëndë, pra kontraktorët e institucioneve tona kanë ndërmarrë menjëherë veprime për të shkuar, sepse kërkohet hapja e arritjeve deri te vendi i gërmadhave ose objekteve të rrënuara. Kemi kërkuar po ashtu që njësitë e veçanta të kompanive tona publike si rasti i KEK-ut, Zjarrfikësit që janë më të përgatitur por edhe të Trepçës por edhe minierave tjera t’i përgjigjen”, tha Haradinaj.

Ai bëri të ditur gjithashtu se Ministria e Transportit ka kontaktuar disa kompani private me mjete të fuqishme që mund të bartin pesha të rënda dhe pritet konkretizim me dërgimin e tyre për ndihmë në territorin shqiptar.

Haradinaj sa i përket rrezikut nga ndonjë tërmet eventual në Kosovë tha se ka marrë konfirmimin prej partnerëve dhe njësive të vendit se janë të gatshëm për reagim, “por kjo varet edhe nga përmasa e atij tërmeti eventual”.

Pas marrjes së urdhrit nga Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, një kontingjent i Taskë Forcës së Regjimentit të Mbrojtjes Civile të Gardës Kombëtare të FSK-së, për kërkim-shpëtim urban, i pajisur me mjetet teknike të specializuara, u nisën sot në mëngjes për t’i ndihmuar autoritet shqiptare dhe banorët shqiptarë, me qëllim të përballimit të situatës së krijuar pas goditjes së tërmetit në disa vendbanime të saj.

Kontingjenti i FSK-së, përbëhet nga 3 ekipe të kërkim–shpëtimit urban, një ekip K-9, (njësi e përgatitur e qenve) për situata të tilla, ekipi i komunikimit, policia ushtarake e FSK-së dhe ekipi i mjekësisë.

Ndërkohë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme ka marrë vendim për ndarjen e 6 milionë denarëve (rreth 100 mijë euro) si ndihmë financiare për sanimin e pasojave nga tërmeti në Shqipërisë.

Siç thuhet në njoftimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, si ndihmë shtesë ndaj Shqipërisë tashmë janë dërguar ekipe të shpëtimit, të përbëra prej 30 ekspertëve të cilët do të marrin pjesë në aksionet e shpëtimit dhe ndihmës së parë për qytetarët në rajonet e prekura.

Në këtë ndihmë është përfshirë edhe një ekip i posaçëm me mekanizëm, i cili do të angazhohet në aksionet e koordinuara për shpëtim.

Sot, Shqipëria u godit nga dy tërmete të fuqishme, me epiqendër në Durrës në orën 3:55 me magnitudë 6,3 në thellësi 10 kilometra dhe më vonë me një magnitudë 5 në Kepin e Rodonit. Ndërkohë, pas goditjes së dytë janë shënuar mbi 100 goditje dytësore dhe situata mbetet ende aktive.

Si pasojë e dridhjeve të mëngjesit të sotëm, autoritetet shqiptare njoftuan se deri më tani jetën e kanë humbur të paktën 15 persona, qindra janë plagosur dhe 41 persona janë shpëtuar nga rrënojat e ndërtesave.

Në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë qytetarët të përfshirë nga paniku kanë braktisur shtëpitë duke qëndruar në ambiente të jashtme, pasi janë regjistruar edhe lëkundje të tjera.