Tërmeti në Shqipëri, numri i viktimave shkon në 27

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, numri i personave që kanë humbur jetën është 27

Operacionet e kërkimit dhe shpëtimit në zonat e prekura nga tërmeti vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme, ndërsa numri i viktimave është rritur në 27, raporton Anadolu Agency (AA).

Në Njësinë Administrative Thumanë të Qarkut Durrës vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në ndërtesat që u shkatërruan nga tërmeti i 26 nëntorit.

Në njërin pallat të rrënuar kanë përfunduar kërkimet sot me nxjerrjen e dy trupave pa jetë nga rrënojat, ndërkohë ekipet e shpëtimit nga Shqipëria, Turqia, Kosova dhe vende të tjera vazhdojnë kërkimet për disa persona që dyshohet se janë bllokuar.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, numri i personave që kanë humbur jetën është 27, konkretisht 12 nga qyteti i Durrësit, 14 nga Kruja ku ndodhet edhe Njësia Administrative Thumanë dhe 1 nga Lezha.Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se 658 të lënduar nga tërmeti kanë marrë shërbim mjekësor në spitale dhe aktualisht po trajtohen 65 të lënduar, nga të cilët 8 janë në gjendje më të rënduar, nën kujdesin e mjekëve.

Sipas informacioneve zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë në kampingun e ngritur në Thumanë dhe pranë objekteve të dëmtuara janë ngritur 67 çadra në të cilat janë akomoduar 700 banorë.

Pranë kampingut të ngritur në qytetin e Durrësit dhe disa fshatra janë ngritur 181 çadra, ku janë akomoduar rreth 1450 banorë.