Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën si pasojë e tërmetit që goditi vendin këtë të martë. Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar se një person humbi jetën në Kurbin pasi u hodh nga banesa prej panikut.
Ndërkohë dy viktima të tjera janë nxjerrë nga rrënojat e pallatit të shembur në Thumanë. Viktima e katërt u nxorr nga rrënojat në shtesën e pallatit në Durrës.
Mësohet se dy trupa të pajetë janë nxjerrë nga rrënojat e Vila Palma në Durrës, duke rritur numrin e viktimave në gjashtë.
Një tërmet me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter tronditi Shqipërinë rreth orës 03:54 të së martës. Për pasojë banesa dhe pallate pësuan dëmtime të shumta duke zënë poshtë edhe njerëz. Më pas tërmeti u pasua edhe me lëkundje të tjera të forta.