Tepelenë/ Bllokuan rrugën në shenjë proteste për pengimin e ndërtimit të ujësjellësit, nën hetim 4 persona

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tepelenë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

-L. C., 33 vjeç, F. B., 71 vjeç, A. H., 31 vjeç dhe F. C., 55 vjeç, të katërt banues në fshatin Mezhgoran, Tepelenë, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Procedimi penal ndaj këtyre shtetasve nisi pasi kanë bllokuar qarkullimin e mjeteve në hyrje të fshatit Mezhgoran, si dhe nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për hapjen e rrugës, sepse nuk lejojnë që të kryhen punimet për linjën e ujësjellësit që po ndërtohet mes fshatrave Peshtan dhe Mezhgoran.

Për të mos ndërprerë punimet për ujësjellësin, bashkia Tepelenë ka kërkuar mbështetjen e DVP Gjirokastër. Në bazë të kërkesës së bërë nga bashkia Tepelenë, shërbimet e DVP-së dhe të Komisariatit të Policisë Tepelenë kanë shkuar në mbështetje të punonjësve të kompanisë, ku janë përballur me rezistencën e banorëve të zonës, por në asnjë moment nuk kanë ushtruar dhunë ndaj tyre.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.