Tension i rrezikshëm në Irak, mbi 100 të vdekur dhe mijëra të plagosur

Është rritur në 100 numri i të vrarëve në protestat antiqeveritare në Irak, të cilat vazhdojnë ende.

Është rritur në 100 numri i të vrarëve në protestat antiqeveritare në Irak, të cilat vazhdojnë ende.

Një zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë në Irak, i cili nuk dëshiron të prononcohet për arsye sigurie, tha se numri i të vrarëve në demonstratat antiqeveritare të organizuara në shumë provinca, me në krye kryeqytetin Bagdad, u rrit në 100 dhe numri i të plagosurve është afër 2 mijë.

Bëhet e ditur se në spitale ka vështirësi për pajisje mjekësore të emergjencës dhe njësi të gjakut.

Nga ana tjetër, protestat që filluan me kërkesën për përmirësimin në shërbimet publike dhe punësim, për shkak të ndërhyrjes së dhunshme të policisë dhe humbjeve të mëdha të jetës, u përshkallëzuan dhe protestuesit tani kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit.

Kurse Kryeministri i Irakut Adil Abdulmehdi, urdhëroi heqjen ndalimqarkullimit, që ishte shpallur për shkak të protestave.

Abdulmehdi gjithashtu u bëri thirrje forcave politike në vend që “të bashkëpunojnë për reformë”.

Grupi më i madh i parlamentit, “Koalicioni Sairun” deklaroi se ka pezulluar punimet në parlament derisa qeveria të përmbushë kërkesat e protestuesve.

Kurse grupi i dytë më i madh i parlamentit “Koalicioni Fetih”, i bëri thirrje qeverisë që brenda 10 ditëve të “deklarojë një paketë reforme që do të përmbushë kërkesat e protestuesve”.

Edhe lideri i “Lëvizjes Sard”, Muktada es-Sadr e ftoi qeverinë të japë dorëheqjen dhe të zhvillojë zgjedhje të parakohshme.

Ndërkohë, në deklaratën e bërë nga zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres bëhet e ditur se Guterres është duke monitoruar nga afër zhvillimet në Irak dhe ndjen keqardhje për numrin e lartë të viktimave në këto protesta.

Guterres i bëri thirrje qeverisë irakiane dhe protestuesve që të shmangin dhunën në mënyrë që të reduktohet tensioni në vend dhe të veprojnë me vetëpërmbajtje dhe ti qasen dialogut. Ai theksoi se duhet respektuar e drejta e fjalës dhe protestave paqësore.

Bagdadi dhe disa qytete jugore të Irakut që nga data 1 tetor e këndej, janë bërë skenë e protestave kundër qeverisë për “papunësi, korrupsion dhe mungesë të shërbimeve publike”.