Temperatura rekord në Indi, vdesin 96 persona nga i nxehti ekstrem

Një valë ekstreme të nxehti përfshiu verilindjen e Indisë gjatë fundjavës, duke shkaktuar të paktën 96 viktima.

The guardian shkruan se më shumë se gjysma e vdekjeve u raportuan në një rreth të vetëm.

Vdekjet ndodhën në shtetin verior të Uttar Pradesh dhe Bihar në lindje, ku u regjistruan temperatura deri në 45 gradë celcius.

Valët e të nxehtit janë të zakonshme në qershor për këtë zonë, kur nxehtësia e verës rritet në intensitetin maksimal përpara se të godasin musonët.

Kushtet e vështira të punës ndikojnë në numrin e vdekjeve, ku shumë indianë dalin për të fituar jetesën nën diellin e fortë me vetëm një leckë të lagur të mbështjellë rreth kokës së tyre.

Atul Kumar Singh, një shkencëtar nga Departamenti Meteorologjik i Indisë, tha se temperaturat në të gjithë Uttar Pradesh ishin mbi normale, duke shtuar: “Nuk pritet lehtësim në 24 orët e ardhshme”.

Vdekjet në Uttar Pradesh ndodhën pothuajse të gjitha në qarkun Ballia, gjë që habiti zyrtarët pasi shumë zona të tjera kishin po të njëjtat temperatura.

Ministri i shëndetësisë i shtetit, Brajesh Pathak, tha se kishte hapur një hetim për shkakun e vdekjes së “aq shumë njerëzve” në një zonë të vetme.