Organizata Botërore e Shëndetit ka deklaruar se rreziku global i koronavirusit kinez është “i lartë” dhe nuk është më i moderuar siç u tha fillimisht. Numri i viktimave rezulton të jetë 107 ndërsa ai i të prekurve ka shkuar në 4000. Sipas ekspertëve në Kinë, deklarohet se përmes masave të marra ky virus do të arrijë pikën e tij kulmore në dhjetë ditë. Më pas, sipas raportimeve të mediave zyrtare kineze është bazuar, virusi do të pësojë një ulje. Edhe pse kura për këtë virus nuk është gjetur ende, teknologjia ka arritur të identifikojë rastet vetëm përmes temperaturës. Sipas të dhënave, shkaku i një përhapjeje kaq të madhe të këtij virusi vite edhe nga fakti se jemi në një periudhë gripale.
Ministria e Shëndetësisë së Kosovës njofton se edhe 2 persona janë diagnostikuar me koronavirus sot, duke çuar në 15 numrin total të të prekurve me Covid-19, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç thuhet në njoftimin e ministrisë bëhet fjalë për “dy të fejuar të ardhur nga Londra sot më datë 16.03.2020 me fluturim direkt Londër-Prishtinë”.
“Të dytë kanë qëndruar në Londër nga data 4 mars deri me datën 16 mars 2020 dhe sot janë detektuar nga shërbimet shëndetësore të aeroportit ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ dhe të përcjellë me auto-ambulancë për në Klinikën Infektive-SHSKUK. Rastet janë me vendqëndrim nga fshati Korishë-Prizren dhe tjetri nga komuna e Obiliqit. Njeri i gjinisë mashkull dhe tjetri rast i gjinisë femër, të dytë të moshës 26 vjeçare”, thuhet në njoftim.
Nga data 8 shkurt 2020 deri më 16 mars 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 263 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe gjithsej 15 prej tyre kanë rezultuar pozitiv.
Në qendrën e thirrjeve deri më tash janë pranuar në total 1600 thirrje me ata të cilët kanë dyshime mbi simptomat e tyre, ndërsa vetëm sot nga orët e hershme të mëngjesit janë pranuar 215 thirrje telefonike.
Ministria e Shëndetësisë njofton se “nga data 1 shkurt 2020 deri më 16 mars 2020 në Aeroportin ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 10.653 udhëtarë. Në Aeroportin ‘Adem Jashari’ 479 udhëtarë, Merdare 4.264, Vërmicë 2.989, Jarinje 742, Dheu i Bardhë 552, Hani i Elezit 734, Kullë 534, Qafë Morinë 41, Bërnjak 178, Qafë Prush 15, Muçibabë 124 dhe Glloboçicë 1 udhëtarë”.
Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP), në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.
Ekipet e Qedrave Rajonale Shëndetësisë Publike në rajonet përkatëse janë në terren “dhe janë duke i kontakuar kontaktet e kontakteve të rasteve pozitive me Covid-19 për mbikëqyrje të rreptë për 14 ditë duke rekomanduar që personat të vetëizolohen dhe ataqë kanë simptome të lajmërohen në klinikën infektive”.
Deri më tani 3 komuna janë në karantinë në Kosovë që pas daljes së rasteve të para; Komuna e Klinës, Komuna e Malishevës dhe Komuna e Vitisë, ndërsa Qeveria e Kosovës që dje ka shpallur “gjendje emergjente të shëndetit publik”.
Turqi, rritet numri i rasteve me koronavirus
Ministri i Shëndetësisë i Turqisë, Fahrettin Koca, tha se numri i rasteve me koronavirusin e ri (Covid-19) deri më tani në Turqi është rritur në 18.
Ai informoi në lidhje me Covid-19 në vendin e tij nëpërmjet një postimi në Twitter.
“Deri më tani kemi 18 raste të konfirmuara”, u shpreh ministri.
Koca më tej tha se nga rastet e identifikuara 7 janë nga Evropa ndërsa 3 nga SHBA-të.
“Çdo rast i konfirmuar, çdo izolim është siguri për të gjithë ne”, tha Koca.
Turqi, pezullohen të gjitha namazet me xhematë
Autoriteti i lartë fetar i Turqisë ka pezulluar faljen e të gjitha namazeve me xhematë në xhamitë e vendit, përfshirë namazin e Xhumasë, për të ndihmuar në frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Ali Erbaş, kreu i Drejtorisë së Çështjeve Fetare, tha se xhamitë do të mbeten të hapura për ata që duan të falen dhe të luten në mënyrë individuale.
“Në këtë proces është e mjaftueshme të falim namazin e drekës në vend të namazit të Xhumasë”, tha ai.
Erbaş theksoi se të gjithë shtetasit turq që kanë qenë në Umre në Arabinë Saudite, në një udhëtim të organizuar nga qeveria, janë rikthyer në Turqi.
Ai shtoi se 390 qytetarë turq që kanë udhëtuar në Arabinë Saudite nëpërmjet udhëtimeve private, do të kthehen sot dhe do të vendosen në karantinë.
Koronavirusi i ri i cili dhjetorin e kaluar u shfaq në qytetin kinez Wuhan, është përhapur në të paktën 146 vende dhe territore, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur pandemi botërore.
Sipas Worldometer, faqes së internetit që publikon të dhënat për rastet e reja, nga afërsisht 174.600 raste të konfirmuara, numri i të vdekurve është rreth 6.700 ndërsa më shumë se 77.500 prej tyre janë shëruar.
Numri aktual i rasteve aktive është rreth 90 mijë me 93 për qind në gjendje të lehtë dhe 7 për qind në gjendje kritike.
Serbi, ushtria kontrollon objektet publike dhe pikat kufitare shkaku i Covid-19
Ushtria e Serbisë do të angazhohet në sigurinë dhe kontrollin e objekteve publike në territorin e Serbisë për shkak të koronavirusit të ri (Covid-19).
Siç njofton Ministria serbe e Mbrojtjes ushtria do të angazhohet në sigurimin e spitaleve ku bëhet kontrolli i të infektuarve potencial me koronavirus dhe trajtimi i personave të sëmurë si dhe në vendkalimet kufitare me qëllim të ndihmës së autoriteteve shtetërore kompetente në kontrollin e vendkalimit kufitar.
Pjesëtarët e Forcave të Armatosura Serbe gjithashtu do të angazhohen në lokacione ku vlerësohet se ka lëvizje të rritur të qytetarëve gjatë aktiviteteve të rregullta në këto vende, të tilla si stacionet e autobusëve dhe trenave, aeroportet, zyrat postare dhe objektet e ngjashme.
Në kryerjen e të gjitha detyrave të saj, ushtria do të marrë të gjitha masat e mbrojtjes për të parandaluar përhapjen e Covid-19 në përputhje me rekomandimet e shërbimeve kompetente.
“Ushtria e Serbisë është e gatshme të kryejë të gjitha detyrat që merr për të mbrojtur shtetin dhe qytetarët në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme në vend”, thuhet në njoftim.
Kroaci, shtatë raste të reja me koronavirus
Shtabi i Mbrojtjes Civile i Republikës së Kroacisë ka raportuar se shtatë pacientë të rinj me koronavirus janë diagnostikuar në Kroaci që prej ditës së djeshme, ndërsa tre raste janë kuruar edhe gjenden nën kujdesin shtëpiak. Qarkullimi i autokolonës së kamionëve të mallrave drejt vendeve fqinje është nën mbikëqyrjen e policisë.
Ministri kroat i Shëndetësisë, Vili Beros, tha se sot ka shtatë pacientë të rinj të zbuluar pozitivisht në Kroaci, që përbëjnë gjithsej 56 të sëmurë. Duke marrë parasysh se tre pacientët e parë kanë përfunduar fazën e parë të trajtimit dhe janë larguar për kujdes shtëpiak, është e mundur të flitet për numrin e 53 personave të sëmurë.
“Nga shtatë rastet e reja, një është nga Rijeka, një nga Karlovac dhe pesë janë nga Zagrebi, ndërsa njëri prej tyre është një mjek nga KBC Rebro i cili ishte shoqëruar me njerëzit që u kthyen nga skijimi”, tha Beros.
Janë realizuar 835 testime, 15 prej të cilave janë ende duke u përpunuar, ndërsa, sipas të dhënave të djeshme, 8.464 shtetas kroatë janë nën mbikëqyrje, dhe kjo shifër pritet të rritet sot. Janë 290 persona që kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me të infektuarit, ndërsa Shtabi vlerësoi se sot, me shtatë rastet e reja, ky numër do të rritet në rreth 500.
Shkup, pacientja e shëruar nga Covid-19 lëshohet në mjekim shtëpiak
Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut ka informuar se pacientja e parë e shëruar nga koronavirusi sot është lëshuar në mjekim shtëpiak.
Siç njoftojnë nga ministria, pacientja pasi u diagnostikua, u testua për herë të dytë për virusin sipas udhëzimeve dhe rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
“Gjendja shëndetësore e pacientëve që janë pozitivë në Covid-19 e të cilët trajtohen në Klinikën e Sëmundjeve Infektive dhe Gjendjeve Febrile është stabile. Pacientja e parë nga Dibra që është me makinë respiratore është gjithashtu në gjendje stabile. Pesë pacientët që trajtohen në spitalin e Dibrës janë në gjendje të mirë shëndetësore”, thuhet në kumtesë.
Nga ministria gjithashtu thonë se mbrëmë nuk ka pasur persona të rinj të testuar në koronavirus, ndërsa aktualisht priten rezultatet e testimit të tre personave nga Dibra.
Kujtojmë se numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara të koronavirusit në Maqedoninë e Veriut është 19, përfshirë pacienten e shëruar.
Pas shfaqjes së virusit në qytetin kinez Wuhan dhjetorin e kaluar, virusi është përhapur në të paktën 150 shtete dhe territore.
Serbia shpall gjendje të jashtëzakonshme për shkak të përhapjes së koronavirusit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministrja Ana Brnabiq dhe kryetarja e parlamentit serb, Maja Gojkoviq, sonte shpallën gjendje të jashtëzakonshme në vend që hyn në fuqi menjëherë për shkak të përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19).
Qeveria e Serbisë do të miratojë masa emergjente që vlejnë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.
“Serbia sot është në luftë kundër një kundërshtari të padukshëm të cilin duhet ta mposhtë. Është një luftë për ata që e themeluan këtë vend, por edhe për të ardhmen e Serbisë”, ka thënë presidenti serb Vuçiq.
Qeveria e Kosovës shpall emergjencë për shëndetin publik
Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e 11-të korresponduese, të ftuar nga kryeministri Albin Kurti, me kërkesë të ministrit të Shëndetësisë, ka marrë vendim që të shpallë emergjencë për shëndetin publik si rezultat i përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19).
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, vendimi obligon institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të veprojnë konform Planit të reagimit kombëtar dhe aktivizimit të funksionit mbështetës emergjent 8 (FME8 shëndeti publik dhe shërbimet mjekësore).
“Ministria e Shëndetësisë është përgjegjëse për menaxhimin e situatës së shpallur të emergjencës për shëndetin publik”, thuhet në njoftim.
Ky vendim ka hyrë menjëherë në fuqi.
Sot në mbrëmje, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, bëri të ditur se edhe katër raste të reja janë diagnostikuar me koronavirus në Kosovë, tre të lidhur me një rast në Komunën e Malishevës, kurse një rast tjetër me vendbanim në Komunën e Podujevës.
Kjo bëri që Vitia të kërkojë nga kryeministri Kurti “shpalljen e emergjencës për shëndetin publik”.
Rastet e para të diagnostikuara me koronavirus në Kosovë dolën ditën e premte, një në Klinë dhe një në Viti. Deri më tash në Kosovë numri i të prekurve me COVID-19 është nëntë, ndërsa tre komuna janë të karantinuara, Komuna e Klinës, Komuna e Vitisë dhe ajo e Malishevës.
Filipinet do të vendosin në karantinë 57 milionë njerëz shkaku i Covid-19
Filipinet sot vendosën “karantinë të zgjeruar të komunitetit” në një zonë ku banojnë afër 57 milionë njerëz në ishullin verior të vendit Luzon, që gjithashtu është vendbanim i kryeqytetit Manila.
Zëdhënësi i Presidencës, Salvador Panelo njoftoi gazetarët sot se “karantina e zgjeruar e komunitetit” do të vendoset “menjëherë”, sipas Rappler.com me bazë në Manila.
Masa erdhi pasi vendi njoftoi më shumë raste të koronavirusit të dielën. Zyrtarët theksuan se 11 persona kanë vdekur për shkak të infeksionit ndërsa 140 të tjerë janë testuar pozitiv për sëmundjen, përfshirë raste të tjera dje.
Departamenti i Brendshëm dhe Pushteti Lokal do të nxjerrë udhëzime për bllokimin e ishullit Luzon që ka për qëllim ndalimin e përhapjen e sëmundjes vdekjeprurëse, e njohur zyrtarisht si Covid-19.
Qeveria do të vendosë karantinë të rreptë për të gjitha familjet, transporti do të pezullohet ndërsa sigurimi i ushqimit dhe “shërbimet thelbësore shëndetësore” do të rregullohen, thuhet në raport.
Gjithashtu planifikohet të rritet vendosja e personelit të uniformuar për të zbatuar masa karantine në të tetë rajonet e vendit.
Koronavirusi i ri që shkakton sëmundjen e njohur si Covid-19 u shfaq në Wuhan të Kinës, dhjetorin e kaluar dhe është përhapur në të paktën 146 vende dhe territore.
Liderët e BE-së do të diskutojnë mbi koronavirusin nëpërmjet video konferencës
Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE), do të zhvillojnë një mbledhje nëpërmjet video konferencës lidhur me epideminë e koronavirusit të ri (Covid-19).
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në një deklaratë nga llogaria e tij në Twitter njoftoi se nesër nëpërmjet video konferencës do të zhvillojnë me liderët e vendeve anëtare të BE-së një mbledhje lidhur me epideminë e Covid-19.
Michel, theksoi se “Parandalimi i përhapjes së koronavirusit, sigurimi i pajisjeve mjekësore të mjaftueshme, forcimi i kërkimeve dhe kufizimi u rënies ekonomike” janë çështje me një rëndësi kyçe.
Si pasojë e Covid-19 që u shfaq në qytetin Wuhan të Kinës, numri i personave të prekur në të gjithë botën ka tejkaluar 169 mijë.
Izrael, numri i rasteve me koronavirus rritet në 250
Ministria e Shëndetësisë e Izraelit njoftoi se numri i rasteve me koronavirusin e ri (Covid-19) në vend është rritur në 250.
Në një deklaratë me shkrim nga ministria thuhet se 5 prej të sëmurëve janë në gjendje të rëndë, ndërsa janë shëruar 4 prej tyre.
Ndërkohë njoftohet se pas përcaktimit të Covid-19 edhe tek 48 persona numri gjithsej i personave të prekur në vend është rritur në 250.
Bëhet e ditur se në mesin e personave të prekur me Covid-19 ndodhen 19 punonjës të shëndetësisë dhe 5 ushtarë.
– Netanyahu rezultoi negativ
Në anën tjetër ka rezultuar negativ testimi i kryeministrit Benjamin Netanyahu i cili bëri testin e Covid-19 pavarësisht se tek ai nuk ishte vërejtur ndonjë simptomë. Krahas Netanyahut testin e Covid-19 e kanë bërë edhe personat e tjerë që ndodhen në rrethin e tij të afërt.
Qeveria e Tel Avivit, më parë për shkak të Covid-19 vendosi qëndrimin për 14 ditë në karantinë për shtetasit izraelitë dhe të huajt që vinin nga jashtë vendit.
Në kuadër të masave për Covid-19 në vend janë ndërprerë mësimet në të gjitha shkollat me përjashtim të çerdheve, ndërsa janë ndaluar aktivitetet publike dhe ato që tejkalojnë pjesëmarrjen me mbi 100 persona.
Gjithashtu duke filluar nga dje u vendos edhe mbyllja e shumë bizneseve, përveç marketeve, farmacive, pikave të karburantit dhe bankave.
Iran, rritet në 853 numri i të vdekurve nga koronavirusi
Numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri (Covid-19) në Iran është rritur në 853.
Sipas lajmit të televizionit shtetëror të Iranit, zyrtari për marrëdhënie me publikun në Ministrinë iraniane të Shëndetësisë, Kianoosh Jahanpour tha se në 24 orët e fundit në të gjithë vendin kanë humbur jetën 129 persona, duke e rritur në 853 numrin e të vdekurve nga koronavirusi.
Ai vuri në dukje se me shtimin e 1.053 rasteve të reja numri i rasteve të konfirmuara është rritur në 14.991 ndërsa 4.996 persona kanë dalë nga spitali pas përfundimit të trajtimit të tyre.
Covid-19 për herë të parë në Iran u regjistrua në qytetin Qom më 19 shkurt.
Bahrein, shënohet vdekja e parë nga Covid-19
Në Bahrein është shënuar rasti i parë i vdekjes për shkak të koronavirusit të ri (Covid-19).
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë së Bahreinit, thuhet se ka vdekur një grua e moshës 65-vjeçare e cila ka pasur shqetësime kronike.
Më tej thuhet se gruaja që ka ardhur kohë më parë nga Irani është mbajtur nën vëzhgim nga një ekip ekspertësh dhe pavarësisht të gjitha ndërhyrjeve nuk ka arritur të mbijetojë.
Që nga dje është rritur në 214, numri i të prekurve me Covid-19 në Bahrein.
SHBA, rritet në 69 numri i të vdekurve nga koronavirusi
Universiteti “Johns Hopkins” ka njoftuar se numri i personave që kanë humbur jetën nga koronavirusi i ri në SHBA është rritur në 69.
Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara është rreth 3.800 ndërsa shumica e vdekjeve nga virusi vdekjeprurës kanë ndodhur në shtetin Washington, ku fillimisht u shfaq virusi.
Raste të vdekjeve janë raportuar në gjithsej 12 shtete, megjithatë përpos Washingtonit, numri i vdekjeve në shtetet tjera mbetet njëshifror.
Universiteti njoftoi se deri më tani në SHBA janë shëruar 12 persona me Covid-19.
Ndërkohë, Associated Press ka cituar një zyrtar qeveritar sipas së cilit sot ka filluar testimi i vaksinës së koronavirusit.
Nga Shtëpia e Bardhë përmes një kumtese njoftuan se administrata e Trumpit gjatë kësaj jave do të vendosë lokacione të testimit në shtetet e goditura më shumë nga koronavirusi.
Secila prej këtyre njësive do të jetë në gjendje të kontrollojë çdo ditë 2.000 deri 4.000 individë, me përparësi të dhënë punonjësve të kujdesit shëndetësor, emergjencave dhe më të moshuarve se 65 vjeç që kanë një simptomë të frymëmarrjes dhe temperaturë prej 37.5 C.
Administrata është kritikuar për mungesën e materialeve testuese, ndërsa disa shtete kanë thënë se autoritetet federale duhet t’u lejojnë të zhvillojnë testet e tyre.
Presidenti Donald Trump të premten shpalli urgjencë kombëtare në përpjekje për të penguar përhapjen e virusit në SHBA.
Duke ndërmarrë këtë veprimin, Trump tha se kjo do t’i mundësojë të “aktivizojë fuqinë e plotë të qeverisë federale”, përfshirë lirimin e fondeve deri në 50 miliardë dollarë për të ndihmuar përpjekjet shtetërore dhe lokale.
Ai shtoi se qeveria e tij po ndërmerr hapat e nevojshëm “për t’u siguruar që ata që kanë nevojë, të mund të kryejnë një test të sigurt, të shpejtë dhe të përshtatshëm”.
Pas shfaqjes së virusit në qytetin kinez Wuhan dhjetorin e kaluar, virusi është përhapur në të paktën 150 shtete dhe territore.
Çekia dhe Libani shpallin gjendje të jashtëzakonshme për shkak të Covid-19
Qeveria e Çekisë ka marrë vendim për karantinë në të gjithë territorin e vendit për shkak të koronavirusit të ri (Covid-19).
Kryeministri çek, Andrej Babis zhvilloi konferencë për media pas një takimi të jashtëzakonshëm të kabinetit.
Babis tha se karantina do të vendoset në të gjithë vendin deri më 24 mars për të parandaluar përhapjen e virusit.
Ai tha se qytetarët mund të dalin vetëm për të shkuar në punë dhe spitale ose për të blerë nevoja themelore.
Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Adam Vojtech tha se numri i rasteve të konfirmuara në vend është rritur në 239.
Republika e Çekisë shpalli gjendje të jashtëzakonshme më 12 mars për të parandaluar përhapjen e virusit.
Pas shfaqjes së koronavirusit në Wuhan, dhjetorin e kaluar, virusi i njohur zyrtarisht si Covid-19, është përhapur në të paktën 141 vende dhe territore.
Kryeministri i Libanit, Hassan Diab shpalli sot gjendje të jashtëzakonshme në vend për shkak të shpërthimit të koronavirusit të ri (Covid-19).
Diab njoftoi masën pas takimit të kryesuar nga presidenti Michel Aoun për të diskutuar masat kundër virusit.
Ministri i Informacionit, Manal Abdel Samad tha se të gjitha hyrje-daljet në vend përfshirë kufijtë, aeroportet dhe portet do të mbyllen midis 18-29 mars.
Ai tha se vendimi nuk do të prekë stafin e OKB-së, misionet diplomatike dhe shërbimet e ngarkesave.
Ministria e Shëndetësisë tha se numri i rasteve të konfirmuara në vend është 99 ndërsa 3 persona kanë vdekur nga virusi.
Iran, anëtari i Asamblesë së ekspertëve vdes nga koronavirusi
Anëtar i Asamblesë së Ekspertëve të Iranit, Ayatollah Seyyed Hashem Bat’haee Golpaygani, ka vdekur nga koronavirusi.
78 vjeçari Bat’haee humbi jetën në spital, ku ishte pranuar për trajtim nga Covid-19, shkruan agjencia e lajmeve Tasnim.
Bat’haee ishte njëri nga shumë zyrtarët iranianë të cilët u infektuan me sëmundjen, përfshirë zv/presidentin, dhjetëra deputetë të Parlamentit dhe zëvendësministrin e Shëndetësisë.
Asambleja e Ekspertëve është një organ që mbikëqyrë dhe emëron liderin suprem të Iranit.
Irani është një nga vendet më të goditura nga koronavirusi me 724 vdekje dhe më shumë se 13.900 raste të konfirmuara, ndërsa rasti i parë i konfirmuar ishte në provincën Qom më 19 shkurt.
Për t’u përballur me pandeminë, Irani ka kërkuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar 5 miliardë dollarë fonde emergjente.
Si pjesë e përpjekjeve të saj për të frenuar përhapjen e virusit, Teherani ka ndërmarrë disa masa, përfshirë mbylljen e të gjitha shkollave dhe institucioneve të arsimit të lartë, anulimin e ngjarje sportive, si dhe ua ka ndaluar zyrtarëve qeveritarë të largohen nga vendi.
Pas shfaqjes së virusit në qytetin kinez Wuhan dhjetorin e kaluar, virusi është përhapur në të paktën 150 shtete dhe territore.
Në Kinë vdesin edhe 14 persona nga koronavirusi
Kina bëri të ditur sot se 14 persona tjerë kanë vdekur të dielën nga koronavirusi, ndërsa 16 raste të reja u raportuan në të njëjtën ditë.
Komisioni Kombëtar i Shëndetit i Kinës tha se numri i vdekjeve arriti në 3,213, ndërsa numri i të infektuarve nga virusi i njohur si COVID-19 arriti në 80.860, raportoi agjencia e lajmeve Xinhua.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila e shpalli shpërthimin një pandemi, numri global i vdekjeve është rritur në afër 5.800, me 153.648 raste të konfirmuara në të gjithë botën.
Zyrtarët shëndetësorë të Kinës shtuan se të gjitha vdekjet ndodhën në provincën Hubei, vatra e infeksionit.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Korenë e Jugut tha se vendi po dëshmon një ngadalësim të rasteve të reja.
Sipas agjencisë Yonhap, gjithsej 8,236 persona u infektuan nga virusi në këtë vend duke përfshirë 74 raste të reja të zbuluara të dielën, theksuan të hënën zyrtarë shëndetësorë.
Deri më tani, 76 persona kanë vdekur nga COVID-19 në Korenë e Jugut.
Zyrtarët japonezë të Ministrisë së Shëndetësisë theksuan se numri i personave të infektuar ka arritur në 1.500, përfshirë rreth 700 raste të cilat ishin në anijen “Diamond Princess” të goditur nga virusi.