Të paktën 12 persona humbën jetën në Evropë nga stuhia Ciaran

Të paktën 12 persona kanë vdekur pasi stuhia Ciaran goditi Evropën Perëndimore me erëra rekord deri në 200 kilometra në orë, duke shkaktuar kaos trafiku pasi portet u mbyllën, kurse udhëtimet me tren dhe avionë u anuluan.

Pesë persona kanë vdekur në Toskanë, njoftuan të premten autoritetet italiane, duke thënë se ishte shpallur gjendje e jashtëzakonshme për shkak të reshjeve rekord.

“Ajo që ndodhi sonte në Toskanë ka një emër: ndryshimi i klimës”, shkroi guvernatori i Toskanës, Eugenio Giani në rrjetin X.

Kryetari i Bashkisë së Firences, Dario Nardella, tha se “situata është kritike” në atë qytet.

Mbrojtja civile e Italisë tha se 200 milimetra shi ranë brenda tri orëve, nga qyteti bregdetar i Livornos deri në luginën e brendshme të Mugello, duke shkaktuar daljen e lumenjve nga shtretërit e tyre.

Pemët që u rrëzuan nga erërat e stuhishme shkaktuan shumicën e vdekjeve në Evropë. Në qytetin belg të Gentit, një djalë pesëvjeçar nga Ukraina dhe një grua 64-vjeçare vdiqën nga rënia e degëve.

Nga rrëzimi i pemëve, më herët, u mbyt një shofer kamioni në rajonin Ain të Francës veriore. Autoritetet franceze njoftuan gjithashtu për vdekjen e një burri që ra nga ballkoni i tij në qytetin port të Avros.

Një burrë në qytetin holandez Venraj, një grua në qendër të Madridit dhe një person në Gjermani kanë vdekur gjithashtu.

Rreth 1.2 milion shtëpi franceze mbetën pa energji elektrike pasi stuhia goditi bregun veriperëndimor.
Stuhia shkaktoi ndërprerje në trafikun hekurudhor, atë ajror dhe detar në Belgjikë, me portin e Antwerp-it të mbyllur dhe fluturimet e anuluara nga Brukseli.

Shpërthimet e erës në rajonin perëndimor Brittany ishin “të jashtëzakonshme” dhe “shumë rekorde absolute u thyen”, tha shërbimi kombëtar i motit Meteo-France.

Në jug të Anglisë, qindra shkolla u mbyllën pasi valët e mëdha të nxitura nga erërat me shpejtësi 135 kilometra në orë goditën bregun.

Në ishullin Channel të Jerseyt, banorët u desh të evakuoheshin në hotele gjatë natës, pasi erërat deri në 164 kilometra në orë dëmtuan shtëpitë, raportuan mediat lokale.

Më shumë se 200 fluturime u anuluan në aeroportin Schiphol të Amsterdamit, një qendër e rëndësishme evropiane e trafikut ajror.

Shërbimet ajrore, hekurudhore dhe tragetet kanë anuluar fluturime dhe kanë regjistruar vonesa të gjata në disa vende.

Pasojat e stuhisë u ndien në jug të Spanjës dhe Portugalisë dhe autoritetet spanjolle paralajmëruan për valë deri në nëntë metra të larta përgjatë bregut të Atlantikut.

Në Spanjë, më shumë se 80 fluturime u anuluan në 11 aeroporte.

Shërbimi meteorologjik francez njoftoi se stuhitë do të vazhdojnë edhe të premten, veçanërisht në jugperëndim të vendit dhe në ishullin e Korsikës.