Ministria e Jashtme e Turqisë, kategorikisht ka hedhur poshtë pretendimet e medias gjermane rreth situatës në Turqi, duke thënë se Turqia do të vazhdojë të mirëpresë turistët nga e gjithë bota me një mikpritje maksimale, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Disa media gjermane publikuan raporte të pabazuara për trajtimin e keq të turistëve gjermanë të cilët udhëtojnë në Turqi”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke Hami Aksoy.
Ai tekstet e botuara në mediat gjermane i quajti kontradiktore me akuza të pabaza dhe gënjeshtra.
“Është shumë e qartë se deklaratat e ministrit të Brendshëm turk, Sulejman Soylu mbi luftën kundër terrorizmit qëllimisht janë keqpërdorur duke u nxjerrë jashtë kontekstit”, tha Aksoy.
Sipas tij, Turqia gjithmonë ka mirëpritur turistët nga Gjermania dhe vendet tjera me një mikpritje tradicionale, gjë e cila do të ndodhë edhe në të ardhmen.