Talebanët zotohen për paqe një ditë pas rënies së Kabulit

Testi i vërtetë për talebanët fillon tani, teksa ata pretendojnë se do të përpiqen të përmbushin pritshmëritë e qytetarëve dhe t’u shërbejnë më mirë atyre duke u zgjidhur problemet.

Në një video të publikuar ditën e hënë, përfaqësuesi i talebanëve, Mullahu Baradar Akhund deklaroi se është koha që të punohet për popullin dhe për të përmirësuar jetën e qytetarëve në këtë shtet.

“Me ndihmën e Allahut ne arritëm këtë fitore unike në historinë e gjithë botës. Por, nuk duhet të tregojmë arrogancë. Tani është koha e provës, ne duhet t’i shërbejmë vendit, t’i ofrojmë qetësi të gjithë kombit, se duhet të shkojmë sa më larg të mundemi për të përmirësuar jetët e qytetarëve”, u shpreh Mullah Baradar Akhund, përfaqësues i talebanëve.

Talebanët e shpallën luftën në Afganistan të përfunduar, pasi morën nën kontroll pallatin presidencial në Kabul.

Rebelëve iu desh pak më shumë se një javë për ta arritur objektivin e tyre, pasi trupat ushtarake vendase, të stërvitura dhe të armatosura për 20 vjet nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, dështuan.

Presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi ditën e dielë.

Ndërkohë, trupat amerikane kanë marrë nën kontroll aeroportin ndërkombëtar të Kabulit, duke marrë në duar menaxhimin e trafikut ajror për të evakuuar stafin diplomatik të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve.

Në aeroportin në fjalë ndodhen edhe shumë banorë të kryeqytetit afgan, të cilët duan të largohen për t’i shpëtuar sundimit të talebanëve.