Talat Xhaferi: Për fushatën “pro” referendumit janë angazhuar 71 deputetë

Xhaferi theksoi se vet pyetja në referendum “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO me pranimin e marrëveshjes midis Maqedonisë dhe Greqisë”, në vete mban angazhimin strategjik që mbështet çdo përfaqësues i qytetarëve

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, në lidhje me angazhimin e deputetëve në fushatën e referendumit për emrin, që do të mbahet më 30 shtator, ka bërë të ditur se 71 deputetë janë deklaruar se do të angazhohen në fushatën “pro”, ndërsa 49 deputetë të VMRO-DPMNE-së opozitare janë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në fushatë, raporton Anadolu Agency (AA).

Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë sot mbajtën seancën e fundit para mbajtjes së referendumit, ndërsa aktivitetet e fushatës pritet të fillojnë të hënën.

Në konferencën për media para fillimit të fushatës, kryeparlamentari Xhaferi theksoi se vet pyetja në referendum “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO me pranimin e marrëveshjes midis Maqedonisë dhe Greqisë”, në vete mban angazhimin strategjik që mbështet çdo përfaqësues i qytetarëve nga pavarësia e vendit deri më sot.

“Sot jemi këtu si trup koordinues ta informojmë opinionin se si bartës të autorizuar të fushatës të njëjtën e udhëheqim në mënyrë transparente, të drejtpërdrejtë dhe direkte, pa diskriminim, pa paragjykime dhe me respektimin e vullnetit të çdo qytetari. Qëllimi ynë është që në mënyrë të detajuar t’i informojmë qytetarët për përfitimet e anëtarësimit tonë në NATO dhe BE, që nuk nënkupton kufij të mbrojtura, politikë të jashtme dhe rrugë të hapura për qytetarët tanë. Anëtarësimi nënkupton më shumë investime të huaja, më shumë vende pune, treg të madh për shitjen e produkteve, më shumë mundësi për arsim dhe përparim të gjeneratave të reja”, deklaroi Xhaferi.

Në lidhje me thirrjet për mospjesëmarrje në referendum nga ana e opozitës VMRO-DPMNE, Xhaferi u përgjigj se përmes letrës së shkruar deputetët e opozitës, përkatësisht 49 deputetë janë kundër  referendumit të 30 shtatorit.

“Grupet parlamentare dhe deputetët e paorganizuar janë deklaruar, 71 prej tyre për fushatë ‘për’, gjegjësisht nga grupi parlamentar i deputetëve të VMRO-DPMNE-së janë informuar me shkrim se ata parapëlqejnë dedikimin e mjeteve për çështje tjera. Kështu që në kontekst të organizimit për neve si trup koordinues dhe parlament, grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së është në fushatën ‘kundër’ “, theksoi Xhaferi.

Kujtojmë se më 30 korrik, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë mori vendim që më 30 shtator të këtij viti të mbahet referendumit për emrin, i cili do të jetë konsultativ.

Referendumi është pjesë e Marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë, e cila parasheh ndryshimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut, që paraqet kushtin kryesor për anëtarësimin e vendit në NATO dhe çeljen e negociatave me BE-në.

Ndërkohë, në vigjilje të referendumit të 30 shtatorit, këto ditë Shkupin e vizitojnë përfaqësues të lartë të komunitetit ndërkombëtar, përfshirë edhe shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili dje në Shkup deklaroi se NATO është e gatshme të presë Maqedoninë si anëtare të plotë të NATO-s, por se për këtë do të duhet të vendos populli në referendum.

Sot për vizitë në Shkup qëndron kancelari austriak, Sebastian Kurz, ndërsa gjatë ditës së nesërme në vizitë do të qëndrojë kancelarja gjermane, Angela Merkel.