“Taksa ndaj Serbisë nuk është kundër serbëve të Kosovës”

"Ky vendim sovran i Kosovës, vjen si rezultat i pengesave të vazhdueshme që Serbia po ia bën vendit tonë", thuhet në një komunikatë nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Qeveria e Kosovës njofton se pretendimet se masa prej 100 për qind ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina u është drejtuar qytetarëve serbë të Kosovës “janë të pavërteta, të paqëndrueshme dhe të papranueshme për të vërtetën dhe qëllimin e këtij vendimi të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Pretendimet dhe deklaratat, nga aktorë të ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit, se masa prej 100 për qind ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, i janë drejtuar qytetarëve serbë të Kosovës janë të pavërteta, të paqëndrueshme dhe të papranueshëm për të vërtetën dhe qëllimin e këtij vendimi të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ky vendim sovran i Kosovës, vjen si rezultat i pengesave të vazhdueshme që Serbia po ia bën vendit tonë”, thuhet në një komunikatë nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Më tej thuhet se nga kjo masë mbrojtëse përjashtohen “Donacionet për kisha dhe objektet fetare, misionet diplomatike ose konsullore dhe personeli i tyre përveç personelit të punësuar vendor kanë të drejtë të importojnë mallra, të liruara nga tatimi doganor, që janë për përdorim zyrtar dhe ekskluziv nga misioni ose për përdorim personal ekskluziv të personelit të misionit, përveç personelit të punësuar në vend”.

Masa mbrojtëse gjithashtu përjashton “Importet e mallrave të financuara nga fitimet e granteve të dhëna nga Qeveritë, agjencitë qeveritare, organizata qeveritare apo jo qeveritare që veprojnë jashtë apo brenda Republikës se Kosovës, të dhëna për Qeverinë apo përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës për të ndihmuar programet dhe projektet humanitare si dhe ato të rindërtimit në Kosovë. Dërgesat dhe lirimet për KFOR dhe EULEX. Importet specifike te mallrave për të cilat Qeveria e Kosovës vendosë se duhet të përdoren për qëllime humanitare dhe që nuk janë për shitjen e konsumim në Kosovë”.

Po ashtu njoftohet se nga kjo taksë përjashtohen edhe mallrat që barten në bagazhin privat të udhëtarëve.

“Kjo nënkupton lirimet, të cilat individë të caktuar i sjellin në Kosovë në bagazhe personale (Neni 47 i Kodit doganor dhe të akcizave specifikon shumën – vlerën e mallit, deri 175 euro, që bartin udhëtarët dhe e cila lejohet pa taksa, duke specifikuar edhe llojet e mallrave)”, thuhet në komunikatë.