Takimi SHBA-Rusi për Afganistanin do të mbahet në Ankara

Të dërguarit e posaçëm të SHBA-ve dhe Rusisë do të takohen në Ankara më 22 shkurt

Të dërguarit e posaçëm të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Afganistanin do të takohen më 22 shkurt në Ankara, konfirmoi i dërguari i posaçëm i presidentit rus Vladimir Putin për Afganistanin, Zamir Kabulov, raporton Anadolu Agency (AA).

Kabulov në një konferencë shtypi të martën në Moskë tha se do të takohet me homologun amerikan, Zalmay Khalilzad. Ai shtoi se të dyja palët janë dakorduar që të takohen në terren neutral.

Po ashtu rikujtoi takimin e zyrtarëve afganë dhe përfaqësuesve të talebanëve të mbajtur më 5 dhe 6 shkurt në Moskë, ku u bisedua për negociatat e paqes.

Ai konsideron se në takim u vendos baza për pikat kyçe për arritjen e avancimit në aspektin politik në Afganistan, kurse tema kryesore ishte tërheqja e forcave amerikane nga Afganistani dhe vendosja e paqes.

Më tej ai citoi presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, të ketë thënë se janë harxhuar shumë resurse dhe njerëz dhe se nuk është arritur ndonjë rezultat.

“SHBA-të më në fund kuptuan se i duhet dhënë fund kësaj lufte. Por se ende është herët të flitet rreth saj”, konsideron Kabulov.

Kabulov theksoi se populli i Afganistanit dëshiron paqe dhe rindërtimin e shtetit të tyre. “Afganët janë popull i denjë dhe ka mundësi të arrihen rezultate të mira. Për këtë flet takimi i mbajtur në Moskë. Rusia është e gatshme të ofrojë mbështetje afganëve sa i përket kësaj çështje”, ka thënë Kabulov.

Ai tha se organizata terroriste DEASH nuk do të ketë sukses në Afganistan. Kabulov konsideron se Pakistani dhe Irani janë vendet kyçe për zgjidhjen e çështjes së Afganistanit.