Takimi me Kim, Alibeaj: E garantova në emër të PD se do përfaqësohemi denjësisht në zgjedhjet e 14 majit

Kryetari i Partisë Demokratike ka zbardhur diskutimet pas takimit me ambasadoren amerikane Yuri Kim lidhur me zgjedhjet vendore të 14 majit.

Alibeaj thotë se në emër të PD, e ka garantuar ambasadoren e SHBA për vullnetin për t’u përfaqësuar në këto zgjedhje duke zbatuar rekomandimet e ODIHR.

“Gjatë një takimi të frytshëm dhe miqësor me ambasadoren e SHBA në Tiranë prekem temat që lidhen me zhvillimet më të fundit në vend për t’u ndalur më gjatë tek ato të zgjedhjeve vendore të 14 Majit.
Diskutuam për rekomandimet e ODIHR, shqetësimet mbi përdorimin e administratës dhe pastërtinë e kandidatëve. Shqetësime këto të ngritura dhe më parë nga opozita dhe që kanë shoqëruar problematikën e proceseve të fundit zgjedhore në Shqipëri.
Në emër të PD garantova ambasadoren e SHBA për vullnetin e mirë tonin për t’u përfaqësuar denjësisht në këto zgjedhje duke zbatuar rekomandimet e ODIHR, duke ndarë me të shqetesime të ndryshme përfshirë dhe rolin e medias, para dhe gjatë fushatës elektorale.
Në fund të bisedës e falenderova për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë të zhvillimeve demokratike”- shkruan Alibeaj.