Takimi i Escobar në selinë e PL-së, Meta zbulon çështjet që u diskutuan

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar në lidhje me takimin që ai pati këtë të martë me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-ve për Çështjet Europiane dhe i Dërguari i Posaçëm i Washingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Përmes një reagimi në facebook Meta bën me dije se temë e diskutimit ishin marrëdhëniet e partneritetetit strategjik mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, dialogu Kosovë-Serbi si dhe zgjedhjet lokale të 14 majit.

Meta deklaron se në takim nënvizoi vendosmërinë e Partisë së Lirisë për të përmbushur të gjitha detyrimet që burojnë nga aleanca strategjike Shqipëri-SHBA.

“Mirëprita ditën e sotme Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-ve për Çështjet Europiane dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Z. Gabriel Escobar.

Vlerësova komunikimin e hapur për të gjitha çështjet që diskutuam në takim.

Theksova rëndësinë e ruajtjes së përbashkët të partneritetit dhe aleancës strategjike, midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.

Për Shqipërinë, aleanca me SHBA është themelore për demokracinë, zhvillimin ekonomik, sigurinë e vendit dhe të rajonit.

E falenderova për mbështetjen e projektit të bazës së NATO-s në Kuçovë, si dhe ndihmën e jashtëzakonshme për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të sigurisë kibernetike.

Vlerësova se angazhimi i SHBA-ve në procesin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor dhe garantues drejt përfundimit me sukses të dialogut mes dy vendeve.

Theksova se zgjedhjet e 14 Majit janë një ditë e madhe e  ndryshimit për të gjithë shqiptarët, që do t’i japin fund monizmit në pushtetin vendor dhe do të rikthejë demokracinë, transparencën dhe Llogaridhënien në të gjitha bashkitë e vendit.

Nënvizova vendosmërinë e Partisë së Lirisë për të përmbushur të gjitha detyrimet që burojnë nga partneriteti dhe aleanca strategjike midis Shqipërisë dhe SHBA.

Po kështu, shpreha vendosmërinë e Partisë së Lirisë, për të përshpejtuar procesin e integrimit Europian të vendit, me prioritet luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit të së drejtës”, tha Meta.